Kompania “Eco-Higjiena” e cila e ka marrë përsipër mbledhjen, bartjen dhe deponimin e mbeturinave në regjionin e Gjilanit, duke e përfshirë edhe komunën e Kamenicës është shndërruar në njërin nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në qytetin e Kamenicës.
Shkruan: Sinan Sadiku
Kompania në fjalë është duke e shfrytëzuar një sipërfaqe tokësore në rrugën “Nëna Terezë” (rruga qarkorë, afër lumit), hapësirë kjo që gjendet midis objektit për banim social ku banojnë disa familje dhe objektit të Zyrës së Punësimit. Në këtë hapësirë njëherë i shkarkojnë mbeturinat nga traktori , i lënë nga disa orë e ditë e pastaj i vendosin në kamionë për t`i transportuar në deponinë e mbeturinave. Po në këtë hapësirë kamionët e mbushur me mbeturina qëndrojnë nga disa orë, here-herë e kalojnë edhe natën, dhe gjatë kësaj kohë nga ata rrjedh një lëng i zi nga i cili vjen një aromë shumë e keqe, që ta zë frymën, pastaj vërshojnë mizat, mushkonjat…
Kjo aromë e keqe, e padurueshme ndihet në një distancë mbi 100 m nga vendi ku rrjedhin kamionët dhe ku mbahen mbeturinat, duke ua bërë jetën të padurueshme familjeve që banojnë në objektin për banim social, punëtorëve të Zyrës së Punësimit dhe duke ua lënë një shije të keqe, të shëmtuar klientëve që marrin shërbime në Zyrën e Punësimit si dhe kalimtarëve të tjerë. Aroma shumë e keqe, që kundërmon, tashmë ka depërtuar edhe brenda objektit të Zyrës së Punësimit, nëpër zyre dhe kjo ua vështirëson së tepërmi punën personelit duke e rrezikuar edhe shëndetin e tyre.
Me këtë gjendje i kam njoftuar inspektorët, kam biseduar me njerëzit e tjerë kompetentë të komunës, por askush nuk ka ndërmarrë diçka për ta detyruar kompaninë në fjalë të mos e ndotë ambientin. Me që gjendja nuk është përmirësuar njëherë i jam drejtuar me shkrim Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat e më vonë edhe kryetarit të komunës.
Megjithatë të gjitha këto kanë has në vesh të shurdhër, përsëri gjendja është e njëjtë, vazhdon derdhja e mbeturinave në qytet, kamionët me mbeturina qëndrojnë nga disa orë e nganjëherë e kalojnë edhe natën aty, duke rrjedhë dhe krijuar puse që kundërmojnë. Thjeshtë vazhdon një gjendje të cilën njeriu e ka vështirë ta besojë përderisa nuk e verifikon, ndërsa organet komunale të cilat janë formuar dhe paguhen për ta zbatuar ligjin heshtin, nuk veprojnë, e tolerojnë duke mos e kryer punën të cilën janë të obliguara ta kryejnë.
Assesi nuk po arrij ta kuptoj heshtjen e organeve komunale, pse ato po e tolerojnë kompaninë “Eco-Higjiena” ta ndotë ambientin deri në këto përmasa, pse nuk po ndërmarrin ndaj saj masa ndëshkuese ligjore të cilat do ta detyronin të sillet konform ligjit?! “Eco-Higjiena” do të duhej të ishte shembull sa i përket pastërtisë dhe mbrojtjes së ambientit e jo të shndërrohej në njërin nga ndotësit më të mëdhenj, në mos më i madhi në komunën e Kamenicës.