Mediat e huaja vazhdojnë t’i japin jehonë rastit të Kombëtares së Kosovës, e cila po i mahnit të gjithë me serinë prej 14 ndeshjesh pa humbje, që nga tetori i vitit 2017. E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” ua ka kushtuar një shkrim special “Dardanëve”.
E vogël, e re, por në vegjëlinë e saj, e pamposhtur, duke e pasur parasysh se humbja e fundit i kishte arritur në tetor të vitit 2017.
E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” e nis kështu shkrimin special që ia ka kushtuar Kombëtares së Kosovës, e cila po e mahnit krejt botën me paraqitjet dhe rezultatet e saj.
Kosova ka debutuar në Ligën e Kombeve dhe e ka mbyllur pa humbje dhe në pozitën e parë grupin e saj në Ligën D.
Këto rezultate ia kanë mundësuar këtij ekipi të luajë me Maqedoninë e Veriut, për t’iu afruar edhe më shumë kualifikimit direkt në Euro 2020.
Mirëpo, mrekullia e quajtur Kosovë po vazhdon edhe në ndeshjet e para kualifikuese të Euro 2020, në historinë e saj të re futbollistike.
Në një grup me Anglinë, me të cilën do të përballet më 10 shtator në Southampton, nuk do të jetë e lehtë të përfundojë në mesin e dy skuadrave që do të kualifikohen.
“Por, fakti se mund të shpresojë, është një fitore e madhe për një Kombëtare që e ka marrë dritën e gjelbër nga FIFA vetëm në maj të vitit 2016 dhe e kishte zhvilluar ndeshjen e saj të parë në muajin pasues. Është një vend që, përmes sportit dëshiron ta legjitimojë pavarësinë e tij, ekzaktësisht 20 vjet pas përfundimit të luftës, e cila la të vdekur mbi 10 mijë civilë. Të gjithë janë të çmendur për skuadrën e tyre, e cila është lindur në vështirësi dhe në vështirësi po ngritet”, shkruan mediumi i njohur italian, i cili përmend ndër të tjera problemet politike me të cilat po përballet sporti kosovar dhe pengesat që po ia shfaqin vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën shtet.