Kryetrajneri i ri i Dritës, Akis Vavalis ka regjistruar fitoren e parë, pas marrjes në udhëheqje të këtij klubi gjilanas, pasi sot në kuadër të javës së 31-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, FC Drita ka shënuar fitore ndaj KF Ferizaj me rezultat 3 me 0.
Ndonëse, fitorja e Dritës duket bindëse për kah rezultati, u deshtën të kalojnë mbi 80 minuta lojë për t’u zhbllokuar rezultati e më pastaj në kohën shtesë erdhën edhe dy gola tjerë, për epilogun final të takimit 3:0.
Tahiri (83′), Selmani (90+2) dhe Simonovski (90+9) kanë shënuar për skuadrën gjilanase, duke bërë që trajneri i ri i Dritës, Akis Vavalis, ta nis me fitore, angazhimin e tij te bardhekaltërtit.
Drita, me këtë fitore, sërish kthehet në Vendin e parë në tabelë, me 63 pikë.
Përndryshe, sot është zhvilluar edhe ndeshja tjetër e javës së 31-të, Drenica – Malisheva 1-2, ndërsa, nesër zhvillohet takimet Trepça’89 -Gjilani, Dukagjini -Ballkani dhe Prishtina – Llapi. /2LONLINE/