Drejtori i Drejtorisë për Politikat e Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes, Faruk Geci, mori pjesë në takimin e iniciativës, Karta e Adriatikut A5-SHBA, në nivelin e drejtorëve të politikave të mbrojtjes dhe atyre të punëve të jashtme, ku vendi ynë aktualisht ka statusin e vëzhguesit.
Takimi u mbajtë në Budva të Malit të Zi, me çka edhe u zyrtarizua fillimi i kryesimit me këtë nismë rajonale nga ky vend.
Në këtë takim, vendi ynë, përveç nga z. Geci, u përfaqësua edhe nga ambasadorja jonë në Mal të Zi, Ariana Zherka- Hoxha.
Gjatë dy sesioneve të punës, pjesëmarrësit diskutuan sfidat aktuale politike dhe ato të sigurisë, me fokus të veçantë situatën në Ukrainë, si dhe ndikimit të saj në mjedisin e sigurisë në rajon.
Gjithashtu, u diskutuan edhe aktivitetet e ardhshme të Kartës dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm midis shteteve anëtare dhe shteteve me status të vëzhguesit.
Përfaqësuesit tanë në ekspozetë e tyre, theksuan qartë edhe ne këtë takim, kërkesën për anëtarësim të vendit tonë me të drejta të plota, ne këtë iniciativë, si imperativ i kohës për bashkëpunim efektiv rajonal.
Karta e Adriatikut, gjatë këtij viti, do të jetë një mundësi e mirë për të promovuar më tej integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, do të jetë edhe një vlerë e shtuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe vendeve të rajonit, në përputhje me politikat e tyre kombëtare dhe nivelin e ambicieve të tyre.
Forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe kontributet e mëtejshme të përbashkëta janë ndër objektivat kryesor në fokus të Kartës në të ardhmen. /2LONLINE/