Sot, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ambasadori amerikan, Greg Delawie, së bashku me zyrtarë të lartë të ICITAP-it, u takuan me Drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, Rashit Qalaj, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Drejtori z. Qalaj në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e ndërsjellët, e falënderoi ambasadorin Delawie për vizitën e tij dhe njëkohësisht e njoftoi për angazhimet e PK-së dhe synimet drejt përmbushjes së detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit ndër të tjera Drejtori Qalaj potencoi se Policia e Kosovës është mirë e përgatitur dhe e angazhuar në ofrimin e sigurisë në vend dhe në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe njëkohësisht veçoi se do të vazhdohet me rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të Policisë së Kosovës.
Me këtë rast ambasadori Delawie e përgëzoi Drejtorin Qalaj për përzgjedhjen e tij në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, duke i uruar suksese në punën e tij dhe njëkohësisht z. Delawie konfirmoi mbështetjen e mëtutjeshme të Ambasadës Amerikane për Policinë e Kosovës, në fusha të ndryshme e në veçanti në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.