Doruntina Hasani, drejtoreshë e derisotme e Drejtorisë Komunale për Administratë të Përgjithshme, tani e tutje do të jetë në krye të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS).
Ajo e ka bërë vet të ditur këtë ndryshim në udhëheqje të një drejtorie komunale përmes një postimi në profilin e saj.
Ja postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Pas pothuajse dy vitesh e angazhuar në udhëheqjen e Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme, ju njoftoj se nga sot kam filluar të ushtroj detyrën e Drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Falënderoj Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë tërë bashkëpunimit tonë. Lideri i nivelit të tij, materializon pikëpamjet tona politike.
Gjithashtu, falënderoj zyrtarët e Drejtorisë së Administratës për bashkëpunimin dhe korrektësinë.
Angazhimi dhe përpjekjet tona të përbashkëta si institucione komunale, në shërbim të parimeve dhe zotimeve qeverisëse, do të intensifikohen me qëllim të përmbushjes së objektivave tona për shërbime më efikase, infrastrukturë më të mirë dhe mirëqenie më të lartë.
Dyert e zyrës sime do të jenë përherë të hapura për qytetarët – me vullnet të plotë politik për të bërë ndryshime pozitive.
Mbesim të palëkundur përballë sfidave që na presin.
Me respekt,
Doruntina Hasani
Drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale