DYLON

Kryeministri Kurti priti në takim liderët politikë të Luginës së Preshevës, në krye me Shaip Kamberin

Kryeministri Kurti priti në takim liderët politikë të Luginës së Preshevës, në krye me Shaip Kamberin
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot liderët politikë të Luginës së Preshevës që fituan në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të koalicionit “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”.

Prezent ishte bartësi i listës dhe Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri dhe nga Aleanca për Luginën, Ilir Sadriu.

EkoHigjiena

Ai i përgëzoi për rezultatin në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në betejën për pozitën e shqiptarëve të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Kryeministri Kurti e uroi për mandatin e ri deputetin e rikonfirmuar, Shaip Kamberi.

Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë e do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi, që përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore.

Gjatë ditës së sotme, deputetin Kamberi e mirëpriti në takim dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i cili e uroi atë për rezultatin e arritur, duke theksuar nevojën për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.​ /2LONLINE/