Deniza Limani, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Gjilanit, ka bërë me dije se në ditën e nesërme me 18 maj 2021 bëhet hapja e Muzeut të dytë të Gjilanit, atij Etnografik që është vendosur në ish objektin e shkollës së Muzikës, më pas përgatitjet për shënimin e Ditës së Fëmijëve më 1 qershor, për të vazhduar pastaj po me këtë qëllim nga pesë shfaqjet teatrale, që janë të përgatitura nga nxënësit e shkollave të mesme.
Në kuadër të kësaj ajo tha se do të vazhdohet me aktivitetin kulturor në kujtim të publicistit, letrarit dhe shkrimtarit të njohur gjilanas “Beqir Musliu” duke nisur që nga trekëndëshi poetik i paqes e deri të çmimi letrar. Në këtë rrafsh është paraparë edhe përzgjedhja e të dalluarve të vitit në kulturë, sport, vullnetarizëm, arsim, shëndetësi, shërbimin civil, bujqësi dhe në sektorë të tjerë të jetës gjilanase.
15 Qershori është data e kujtimit të 22 vjetorit të çlirimit të Gjilanit që përpos homazheve dhe nderimeve për dëshmorët është i paraparë edhe koncert i fëmijevë në ambient të hapur.
21 qershori parasheh shënimin e Ditës së Muzikës me organizime simbolike nga artistët dhe kantautorët gjilanas.
Gjithashtu në kalendarin për Ditët e Çlirimit do të inaugurojmë edhe këndin e veprimtarit të shquar “Idriz Ajeti” në Bibliotekën e Gjilanit, në shenjë falënderimi për dhurimin e bibliotekës së tij për lexuesit tanë. Të gjitha këto aktivitete janë paraparë të mbahen nën respektimin e masave mbrojtëse ndaj pandemisë globale Covid-19. /2LONLINE.com/