Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia i shoqëruar nga zv/Ministrja Dafina Gexha – Bunjaku dhe Sekretari i Përgjithshëm, Naim Bardiqi, mori pjesë në organizimin për “Ditën Botërore të Shëndetit” ku tha se në vazhdimësinë e përpjekjeve për të ngritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e shërbimit, Qeveria ka rritur buxhetin nga 198 milionë euro në 296 milionë euro për sektorin publik shëndetësor gjatë dy viteve të fundit edhe atë për barna, investime kapitale dhe burime njerëzore.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në Kujdesin Parësor Shëndetësor, përmes grantit specifik për vitin 2023 ka aprovuar edhe 299 pozita për mjek familjar dhe infermierë. Gjithashtu në grantin specifik janë buxhetuar, vizitat në shtëpi për kujdes paliativ dhe vizitat për nëna dhe fëmije në vlerë prej 3.2 milion euro. Gjatë vitit 2022 në kuadër të vizitave ne shtëpi për nëna dhe fëmijë janë ofruar shërbime në 25 komuna me 34,142 vizita në shtëpi”, tha, ndër të tjera, Ministri Vitia.
Ndërsa, z. Oleksandr Martynenko, udhëheqës i OBSH-së për Kosovë, deklaroi se preventiva është gjithnjë më profitabile. Ai porositi që të gjithë të jemi më të kujdesshëm dhe të bëjmë kontrolle së paku një herë në vit për të parandaluar ndonjë sëmundje në stad të hershëm.
I pranishëm ishte edhe infektologu, Dr. Sali Ahmeti, i cili theksoi se profesioni i mjekut nuk është një punë e zakonshme, por një mision jetësor që ndonjëherë kërkon sakrifica deri në vetëmohim.
Data 7 Prill dhe shënon tradicionalisht Ditën Botërore të Shëndetit. Këtë vit koncepti i Ditës Botërore të Shëndetit ishte “Shëndet për të gjithë” e cila vë në theks rëndësinë jetike të shëndetit në jetën tonë, për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. /2LONLINE/