Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku priti sot në takim një delegacion nga Liga Italiane për Luftë kundër Tumoreve nga Trentino e Italisë, bashkë me drejtorin e organizatës “Associazione Trentino con i Balcani” dhe përfaqësues të Cooperazione Italiana nga Ambasada Italiane në Kosovë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e organizatës italiane “Associazione Trentino con i Balcani” me seli në Pejë.
Në këtë takim, Zëvendësministri Sadiku i ka njohur mysafirët nga Italia (dy prej të cilëve onkologë) për zhvillimet në fushën e luftës kundër sëmundjeve malinje në Kosovë, duke theksuar avancimet në trajtimin e pacientëve në Klinikën e Onkologjisë; përmirësimin e madh në furnizimin me terapi të pacientëve të prekur nga sëmundjet malinje; zhvillimin e Programit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe zhvillimin e dy projekteve të skriningut për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës,; zhvillimet në fushën e hartimit të Regjistrit të kancerit; Ligjin për Kontrollin e Duhanit që lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet malinje dhe fuqizimin gradual të kapaciteteve vendore. Ai tha se kërkohet rritje e mëtejme e këtyre kapaciteteve, me theks në fushën e parandalimit dhe kujdesit paliativ, ku bashkëpunimi me organizata të ndryshme është i mirëpritur.
Përfaqësuesit e Ligës Italiane për Luftë kundër Tumoreve, të cilët janë duke qëndruar në Kosovë qe tre ditë vlerësuan progresin e bërë në këtë fushë dhe theksuan se Kosova është një vend ku ka mjaft hapësire bashkëpunimi, për çfarë treguan interes të veçantë.
Në mënyrë specifike, Liga shprehu gatishmërinë të bashkëpunohet në katër drejtime: në rritjen e kapaciteteve për diagnostikim të saktë; mundësimin e stazhit në radioterapi për profesionistët nga Kosova në Institutin e Trentinos; bashkëpunimin në fushën e Kujdesit Paliativ dhe aplikimin e teknikave të proton radioterapisë, që është një pajisje dhe tretman i rrallë të cilin për të prekur nga kanceri e aplikon ky institut.
Ishte qëndrim i përbashkët që këto janë fushat ku mund të zhvillohet bashkëpunimi i ardhshëm, ndërkohë që zëvendësministri Sadiku theksoi bashkëpunimin e mirë në shëndetësi midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Italisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Liga Italiane për Luftë kundër Tumoreve nga Trentino e Italisë, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje te Mirë të Kryeministrisë kanë bërë promovimin e Ligës Kosovare në Luftë Kundër Tumorit.