Tungjatjeta kapedan!
Atje matanë, dielli që ka skuqur qiellin, nuk i ka mbetur edhe shumë kohë të ikë. Sikur e ka vështirë të perëndojë. Po e lë të vetëm këndej të shëndritë përgjithmonë, dëshmorin e lirisë, Musli Imeri.
Pak më poshtë, në lak të udhës mes dy katundeve, gati të boshatisura: Zajqec e Tygjec, dëshmori Musli Imeri, i shkrirë në bronz, pothuajse i vetëm ka mbetur ti thotë “tungjatjeta” secilit udhëtar, e “mirësevjen” secilës ditë të re!
Vetëm interesgjinjtë dhe ndonjë hallegji që për hesapet e veta enden poshtë e lartë gjadës që i bie trup Zajqecit, mund t’ia prishin atij qetësinë, me sy kah «kapia», që sikur na qorton pse aty akoma e kemi lënë kufirin.
Shumë malësorë të kësaj bjeshke u zdorgjën në Dardanë, Gjilan e Prishtinë. U tretën andej botës urbane, duke lënë prapa një histori të bujshme për Sejdë Zajqecin, kapetan Shefqetin që ishte në ballë të komandës për mbrojtjen e kufirit prej Konqulit deri në Batllavë, e histori tjera të lavdishme për trimëritë e malësorëve të kësaj ane e përtej.
Edhe «malet» i morën, i zhveshën ato si mos më keq! Lanë vetëm gurgullimën e krojeve me ujë të pasur, të cilin tash e blejnë për “ilaç” në pazar.
E gjatë është nata për këta pak malsorë që i ka zanë edhe ky dimër këndej.
Nuk ka më kush dhe nuk është më si doherë për tu end odë më odë, sa te njëri – te tjetri, ku shpeshherë i ka çel dita në odë me muhabet gjallnie, me brengën për fatin e atdheut e të kombit; duke luajtur «kapuça», «filxhana», e loja tjera malsorçe, të këndshme të Gollakut.
Edhe në mos mbet’ më njëri i gjallë këndej, janë këtu përgjithmonë Musë Imeri e Nuha matanë n’Tygjec, n’dy krahët e kaçakut Bejtë Pireva, udhërrëfyes i tyre për Atdhe e për Flamur.
/Shefik Surdulli/