Rruga e Lirisë dhe Pavarësisë ishte shumë e gjatë dhe me shumë sfida. Vetëm ata që e jetuan dhe e përjetuan, dinë se çfarë të tregojnë. Por, të rrallë janë ata që menduan se do të vijë kjo ditë, që Çlirimtarët të ulen në bankën e të akuzuarit. Kjo skenë nuk i takon Çlirimtarit të vërtetë.
Shkruan: Artan Musliu
Pas shumë sfidave, tani e kemi edhe sfidën e Gjykatës Speciale, të iniciuar nga pretendimet e Dick Marty, të cilën, si shumë etapa të tjera të historisë, duhet ta kalojmë së bashku. Sakrificat për këtë vend duhet të vazhdojnë edhe pas luftës, edhe pse ajo ka përfunduar që nëntëmbëdhjetë vite.
Pjesa më e madhe e popullit në “Republikën” tonë, po vazhdojnë të sakrifikojnë edhe sot. Në shekullin e teknologjisë, në shekullin e arritjeve të mëdha, ata po përballen me vështirësinë për të mbijetuar të nesërmen. Ata nuk po punojnë për të jetuar, por për të mbijetuar, njëjtë si në kohën e okupimit. Ata po përballen edhe me të keqen më të madhe , të cilën nuk e kanë pritur dhe nuk e kanë merituar, po përballen me disa nga “ju”, që vlerat i keni kthyer në korrupsion, që ëndrrat e të rinjve i keni kthyer në zhgënjim për ta.
Mirëpo, ne heshtëm, të gëzuar me Lirinë dhe Pavarësinë e shumëkërkuar, vazhduam të vetëkënaqemi, sikur duke luajtur fshehurazi, me apo pa vetëdije. Por, kjo “sakrifica” juaj, nuk ju jep të drejtën të na izoloni nga bota e civilizuar.
Ne, mbi të gjitha, edhe para vetës tonë, e dëshirojmë dhe e duam Shtetin, vendin tonë, prandaj, ju lutem, sakrifikoni për Gjeneratat e Reja, ata kanë nevojë për më shumë liri, mos ia mohoni të drejtën e shkollimit, mos ia mohoni të drejtën e lëvizjes, mos ia mohoni të drejtën e ngritjes intelektuale në shkollat prestigjioze evropiane, probleme të cilat fëmijët tuaj nuk i kanë.
Ne besojmë në pafajësinë tuaj, nuk besojmë në politikat izoluese tuajat!