Të gjitha ligjëratat, këshillat që jepen në muajin e Ramazanit, flasin për vlerën e Ramazanit, për rëndësinë e Ramazanit, për fshehtësitë e Ramazanit. Të gjitha ato që i kemi dëgjuar tregojnë se çka ne dëshirojmë prej Ramazanit.
Ne, nga agjërimi i Ramazanit kërkojmë faljen, kërkojmë mëshirën, kërkojmë largimin nga zjarri i xhehenemit, kërkojmë prangosjen e djajve, kërkojmë hapjen e dyerve të xhenetit dhe mbylljen e dyerve të xhehenemit, kërkojmë ëmbëlsinë e adhurimit, kërkojmë pranimin e lutjeve, kërkojmë nga ai që të na pajisë me vlera. Të gjithë ne, gjatë Ramazanit e pyesim njëri tjetrin se si po kalon me Ramazan?
Çka sikur të kthejmë pyetjen në të kundërtën e asaj që ne pyesim vazhdimisht për Ramazanin? Çka sikur ne të pyesim se çka kërkon Ramazani prej nesh? Si po kalon Ramazani me ne? A ka ky muaj ndonjë listë të kërkesave, që ai dëshiron ti realizoj në vetën tonë?
Përgjigjja në këto pyetje është një çështje e rëndësishme. Në bazë të asaj që e kuptojmë se çka dëshiron prej nesh Ramazani, kemi mundësi edhe realizimin e kërkesave të tij.
Ramazani kërkon prej nesh që të na mësoj se si duhet të jetë raporti i besimtarit me obligimet e Zotit? Si duhet të jetë besimtari i përpiktë në zbatimin e urdhrave të Allahut. A nuk e keni pa se sa i përpiktë është Ramazani në zbatimin e hapësirës kohore gjatë agjërimit?! Ai i cili hanë qëllimisht para se të perëndoj dielli, çoftë edhe për pak minuta, e prish agjërimin dhe nuk llogaritet se ka agjëruar atë ditë.
Ai i cili e vazhdon syfyrin edhe pasi që të përfundoj koha e imsakut, pasi që të thirr ezani, e prish agjërimin dhe nuk llogaritet se ka agjëruar atë ditë. Myslimani gjatë Ramazanit pyet për kohët në të cilat pranohet lutja në Ramazan, pyet për natën e cila është më e vlefshme se një mijë muaj, pyet për gjërat të cilat e prishin Ramazanin, pyet edhe për gjërat precize që kanë të bëjnë me Ramazanin.
Të gjitha këto na japin një mesazh të qartë se Ramazani kërkon prej besimtarit që urdhrave të Allahut t’iu përgjigjet me shpejtësi. Sepse, në zbatimin e urdhrave të Allahut ka gjallëri të shpirtit dhe zemrës. Allahu thotë në Kuran: “O besimtarë! Binduni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë ( Enfal 24). Ramazani dëshiron ta mësoj besimtarin se çdo gjë e cila është e dashur te Allahu, duhet të shpejtoj në zbatimin e saj dhe duhet të bëjë gara në arritjen e atyre gjërave që i do Allahu. Ramazani, jo vetëm që e mëson se si të kryej urdhrat e Allahut me përpikëri, por ai e mëson gjithashtu se ato duhet të kryhen me përkushtim sa më të madh.
Përkushtimi ndaj urdhrave të Allahut është shenjë e cila tregon shkallën e besimit të besimtarit, tregon shkallën e devotshmërisë së besimtarit. Allahu thotë në Kuran: “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij” ( Haxhxh 32).
Kur sheh raportin dhe sjelljen e besimtarëve me Ramazanin, se si kujdesen për rregullat e agjërimit, si kujdesen për kohën e Ramazanit, që atë ta kalojnë sa më mirë, si janë në gjendje edhe të sakrifikojnë diçka nga vetja, vetëm për ta kryer agjërimin sa më mirë, na japin të kuptojmë se Ramazani jo vetëm që na mëson neve se si ti përgjigjemi urdhrave të Allahut me përpikëri, por edhe si të kryejmë ato me përkushtimin më të madh. Pra, Ramazani me gjitha këto dispozita, me gjithë këto rregulla dëshiron të na mësoj se si besimtari duhet të veproj me urdhrat Hyjnorë dhe dispozitat Hyjnore.
Ramazani kërkon prej nesh ndryshim të rrënjësishëm në jetën tonë, kah ajo që është pozitive dhe në dobinë tonë. Ramazani dëshiron të na tregoj se vendimi për të ndryshuar jetën tonë është në duart tona, si individ dhe si shoqëri në përgjithësi. Shiko gjërat të cilat ndryshojnë në këtë muaj në vetën ton, dhe ne ato i bëjmë me vullnet dhe me plotë dëshirë.
Orari i gjumit ndryshon, orari i ushqimit ndryshon, programi ditor ndryshon, të jetuarit me Kuran ndryshon, gjendja e jonë në raport me namazin ndryshon, zemrat tona ndryshojnë, shpirtrat tonë ndryshojnë, raportet tona me të tjerët ndryshojnë, dëshira për solidaritet, falje, mëshirë ndryshon. Në përgjithësi,e tërë jeta në Ramazan për besimtarin ndryshon. Këto ndryshime që ne i bëjmë në Ramazan, janë me vullnetin dhe dëshirën ton.
Askush nuk na ka detyruar në këtë ndryshim. Andaj e tërë kjo neve na zbulon një fakt me rënësi të jetës sonë dhe zbulon një sekret. Ai sekret është se mundësia për të ndryshuar diçka është në duart tona. Kjo është prej qëllimeve të mëdha të Ramazanit, duke e mësuar njeriun se ka mundësi për ndryshime pozitive në jetën e tij. Ramazani i jep kuptim dhe mundësi për zbatim të rregullës Hyjnore, ku Allahu thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete” ( Rra’d 11).
Ramazani kërkon nga besimtari gjithashtu që ta kuptoj se ai duhet të jetë mesatar në jetën e tij, as mos ta teproj më gjëra, e as mos ta qoj vetën e tij deri në shkatërrim. Ramazani vazhdimisht na përkujton fjalën e Allahut: “ Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë ( mesatare)” ( bekare 143). Në muajin e Ramazanit agjërojmë por edhe hamë, falemi por edhe pushojmë , angazhohemi në adhurim, por në të njëjtën kohë angazhohemi edhe në punë tjera, gjuhët tona i lëvizim me përmendjen e Allahut, madhërimin e Tij, por në njëjtën kohë bisedojmë edhe me fëmijët tan, familjen tonë, shokët tanë dhe me njerëzit në përgjithësi, gjatë ditës ndalohemi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, ndërsa natën jemi të lirë në këto. Ramazani është një obligim i cili bënë balancimin mes asaj që është trupore dhe shpirtërore, mes zemrës së njeriut dhe trupit të tij. Nuk erdhi Ramazani që të na bëjë murga dhe të kërkoj prej nesh që ti shkëpusim komplet lidhjet me këtë botë. Po ashtu nuk është sikur muajt tjerë që ti lejoj njeriut të zhytet në kënaqësitë e kësaj bote.
Ramazani erdhi me një mesatare, që të na mësoj neve se asnjëra nuk duhet ta tejkaloj tjetrën. Kur hapim kaptinën “ El-mudeththir” e gjejmë ajetin e parë të kësaj kaptine: “O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro!” ( Muddeththir 1,2). Ndërsa kur hapim kaptinën “ El-muzemmil” e gjejmë ajetin e parë në këtë kaptinë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj,” ( Muzemmil 1,2). Besimtari i vërtetë është ai i cili bashkon mes dy zgjimeve. E mbush ditën e tij me vepra të mira, me thirrje në rrugën e Allahut, me ndërtimin e tokës. Po ashtu e mbush natën e tij me namaz, lutje përmendje të Allahut. Ky balancim është ai të cilën e kërkon prej nesh dhe na e mëson Ramazani.
Ramazani kërkon prej nesh që të mësojmë ngadhënjimin, fitoren dhe triumfin. Ramazani është ai i cili të vendos ty para disa betejave. Betejë me epshin tënd, betejë me zemrën tënde, betejë me shejtanin tënd, betejë me thirrësit në të keqe, dhe kur ti triumfon ndaj gjithë këtyre betejave, atëherë e shijon ëmbëlsinë e fitores. Kur ti fiton ndaj epshit tënd, ndaj dëshirave tua, e ndalon vetën nga ajo që vetja të tërheq dhe e vepron atë që vetja mundohet të ndaloj, e ndalon vetën nga ajo që të thërret shejtani, dhe vepron atë që shejtani dëshiron të ndaloj, me këtë, ti ke fituar një betejë të madhe dhe shumë të vështirë, e që është beteja me shejtanin, armikun e përbetuar të njeriut. Ke fituar një betejë që shumica e njerëzve e kanë humbur këtë betejë. Allahu thotë: “Sigurisht që ai (djalli) ka shpënë në humbje një mizëri ( shumicë) prej jush; vallë a nuk po mendoni?! ( 62 Jasin ). Kur njeriu e fiton betejën me pasionet dhe epshet e tij, është në gjendje që të fitoj edhe ndaj armikut të tij. Ndërsa nuk mund të fitoj betejën ndaj armikut ai i cili nuk mund ta fitoj betejën ndaj egos dhe epshit të tij. Ai i cili nuk mund të duroj disa orë nga ushqimi dhe pija, si ka mundësi të duroj në betejë, kur ballafaqohet me armikun.
Ramazani dëshiron të na mësoj neve unitetin. Të gjithë agjërojmë së bashku, të gjithë bëjmë iftar në një kohë të caktuar, të gjithë ulemi në një tryezë të përbashkët. Në Ramazan nuk ka diçka e cila është e veçantë për një kategori të njerëzve e nuk është për të tjerët, por të gjithë e kemi një adhurim, i fuqishmi dhe i dobëti, i pasuri dhe i varfëri. Të gjithëve na bashkon Ramazani. Pra, Ramazani na mëson që të gjithë të jemi bashkë edhe jashtë Ramazanit.
Me etjen dhe urinë që e shijojmë gjatë Ramazanit, kërkon prej nesh një barazi mes klasave dhe shtresave të njerëzve. Ai që është në pozitë duhet të agjëroj sikur njeriu i thjeshtë. Ai që është i pasur duhet të agjëroj sikur ai që është u varfër. Ramazani na mëson solidaritetin mes njëri tjetrit.
Këto janë gjërat të cilat i kërkon Ramazani nga ne. Që të kemi një Ramazan të pranuar duhet ti përmbushmi kërkesat e Ramazanit.
Hoxhë: Shaban Murati