Gjashtëmbëdhjetëvjeçari nga Hogoshti i Komunës së Kamenicës, Butrint Ahmeti, i cili çdo ditë e më shumë po dëshmon performancë të jashtëzakonshme në Shkollën e Mjeshtrisë së Futbollit “Loro Borici” në Tiranë, sipas vlerësimeve të ekspertëve po konsiderohet njëri nga talentët e rrallë të së ardhmes së përfaqësueses së Kosovës.
Duke iu referuar aktiviteteve profesionale të strukturuara në kuadër të kësaj shkolle si dhe stafit profesional të saj, Ahmeti veçon punën bashkëkohore – profesionale që zhvillohet në këtë institucion lider të futbollit tonë.
Ndonëse roli I tij në terren është mesfushor ofansiv, Ahmeti dallohet edhe për nga cilësitë e veçanta prej golëshënuesi tipik si dhe shpejtësinë që e karakterizon.
Vetëm në katër ndeshjet e fundit të skuadrës së tij “Shkëndija” mësohet se pikërisht golat e Butrint Ahmetit, kanë qenë vendimtar në fitoret e skuadrës së tij.
Sipas trajnerit të tij, Klaudio Claushi, 16-të vjeçari Ahmeti është lojtari më kreativ i gjeneratës së tij, grupmoshat U-17, nga I cili padyshim se priten suksese të veçanta përtej gjeografisë së futbollit tonë.
Ahmeti që nga shtatori I vitit të kaluar është pjesë e Akademisë “Loro Borici” në Tiranë, ndërkohë që paraprakisht ka vijuar nëpër të gjitha kategoritë (grupmoshat) në skuadrën “Shkëndija” nga Gjilani.
/Xhemail Veseli/