PRITJES I THINJEN FLOKËT
(Cikël poezish nga vëllimi poetik në dorëshkrim)
BISER MEHMETI
BOTA HESHT E FLET
E fillova një këngë
Me zërin e zgalemit
Ende pa u mësuar të eci
Në folenë e dimrit të thinjur
Koha gllabëroi mëngjesin
Më nuk e pashë lumin
Vaji u zvarrit deri në qiell
Diellit ia verboi sytë
Hënës ia vrau qeshjen
Jeta mbështillet në arkivol
Lindja kërkon varrin
Pritjes i thinjen flokët
Gjaku ushqehet me pelim
Bota hesht e flet
Për gjërat që nuk kanë vlerë
Në shpirtin e pajetë
Lodrojnë mordjet e egra
Si qentë e tërbuar
E kënga vazhdon
Edhe pas mbrëmjes së fundit
PROCES
Ora e lodhur
Dergjet në burimin e shterur
Hapat e vjeshtës
Digjen në liqenin e mërzitur
Një shpatë e thyer në sy
Ndal gjëmimin e nënave
Vallja e sfilitur nga heshtja
Në bishtin e dallendyshes çlodhet
Muzgjet në dritaret e kullave
Vrasin merimangat e plakura
Orës iu kalbën akrepat
Koha u fsheh përtej bjeshkës
NJËTRAJTSHMËRI
Heshti e klithi
E njejta fjalë
Ndizem e fikem
E njejta flakë
Ngrihem e shkrihem
E njejta stinë
Vrapoj e ndalem
E njejta shpejtësi
Këndoj e vajtoj
E njejta dhembje
Dashuroj e urrej
E njejta dëshirë
Lindi e vdes
I njejti varg
ZHGJËNDËRR E VRARË
Dielli ëndërronte
Fytyrën e mbrëmjes
Ia morën këngën
Ai e dogji gjuhën
Prej tokës në qiell
Vdekja zgjati duart
Ia morën dashurinë
Ai kishte urrejtjen
Agimi mbeti pezull
Zhgjëndërr e vrarë
Ia morën vdekjen
Ai kishte lindjen
Askush nuk e pa
Kur iku nga peizazhi
NË NJË URË QËNDROVA
Prej lindjes
Në një urë qëndrova
Nga të katër anët
Erërat i pikturova
Prita ta gjej emrin
Varret dhe dashurinë
Që kurrë nuk i pata
Përtej shtatë kodrave
Erdhi një stuhi e çmendur
Dhe e shembi urën
KRIMBI NË ZEMËR
Krimbi më hyri në zemër
Dhe ma thithi gjakun
Që ishte bërë ujë
Era qeshi natën
Pse rrugën e vështrova
Me sytë që s’kishin gjumë
Kalorësit e vranë qiellin
Pastaj pshurrën mbi të
Derisa e vranë njëri-tjetrin
Stina tjetër kur erdhi
Gjeti një statujë
Dhe do kalorës të ngurosur
Kur ra shumë borë
Era më nuk qeshi
Gjuhën dikush ia preu
ËSHTË NGUSHTË PËR TË VDEKUR
Ujku i plakur argëtohet
Me kokën e një zogu të ngordhur
Dielli më nuk më ngroh
As në verë, as në dimër
Nënës në gjumin e rrejshëm
Ia fshij lotët e ngrirë
Mjegullat nëpër ballë
Lexojnë epitafet e pashkruar
Koka kërcen në flakë
Për të kënaqur ujkun e pangopur
Është shumë ngushtë për të vdekur
E shumë gjerë për të jetuar
NË DITËN E FUNDIT
Në ditën e fundit
Diellit do t’ia djeg shtratin
Mëngjesi e vjedh natën
Mbrëmja e hap varrin
Retë në qeshjet e ngrira
Hedhin vallet e mallkimit
Syri i largohet lindjes
Gjuha i afrohet amshimit
Shpirti hyn në ëndërr
Dhe bëhet guri i përjetsisë
Në ditën e fundit
Do të pshurri veten dhe botën
___________________
BISER MEHMETI, u lind në fshatin Sefer të Preshevës, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Ferizaj, kurse fakultetin e letërsisë dhe të gjuhës shqipe në Prishtinë. Gjatë kohës sa ka qenë stundent ka bashkëpunuar me revistat “Zëri i rinisë” dhe “Bota e re” “Epoka e Re”ku ka botuar një numër të madh shkrimesh gazetareske, por edhe krijime të ndryshme letrare. Me shkrime letrare merret që nga shkolla e mesme. Është bashkautor në librin “Katërmbëdhjetë autorë” i botuar në vitin 1985 në Ferizaj, nga Klubi letrar “De Rada” ( të cilin pushteti i atëhershëm e pati djegur!) dhe në antologjinë “Orët e bardha” të krijuesve të klubit letrar “De Rada” të Ferizajt, botuar në vitin 2001. Në gazetën “Bota sot” ka botuar një numër të madh tegimesh. Në vitin 2004 në SHB “Vatra” në Shkup ka botuar romanin “Nata pa mëngjes”. Punon në Ferizaj si mësimdhëns i gjuhës shqipe. Fitues i Çmimit letrar për roman “De Rada”, 2014 dhe i disa çmimeve letrare për tregim, në Kosovë e gjetiu .
Në vitin 2014 në konkursin anonim tradicional që e organizon Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj zuri vendin e parë me romanin “Fjala e ngrirë”.
Ka të botuara:
:”Nata pa mëngjes”, (roman) botues. SHB “Vatra” Shkup, 2004
‘”Katër kalorësit e apokalipsit”, (tregime) “SHB “Rrjedha ”, 2011
“Jetë e mohuar”, roman, botues SHB “Rrjedha”, Gjilan, 2012
Fjala e ngrirë (roman) botues Klubi letrar”De Rada, Ferizaj, 2014
“Dielli i ftohte”,roman, ÇMIMI I TRETE, Botues “Buzuku”, Prishtine, 2016.