Viti 2018, e përmbylli procesin e shtetndërtimit të Kosovës

Viti 2018, e përmbylli procesin e shtetndërtimit të Kosovës

Po i japim fund një viti për të cilin unë mendoj se ishte i suksesshëm. Nuk ka qeveri në botë pa të meta, pa mangësi, porse kur nëntëdhjetë e nëntë punë të mira bëhen, nga një jo e mirë, mësojmë.

Shkruan: Ardian Azemi

Qeveria Haradinaj ishte caku i sulmeve nga të gjitha anët, nganjëherë me të drejt, e shumë herë pa arsyeje. Kjo i ka bërë nder kreut të qeverisë, dhe e ka ndihëmua shumë në përmirësimin e cilësisë në qeverisje. Kritika duhet pranuar sepse vetëm ashtu e bënë të reflektoj një qeveri.

Ky vit që po e lëmë pas, lirishëm mund ta krahasojmë me 2008-në e shpalljes së Pavarësisë. I suksesshëm mund të quhet një vit në të cilin krijohen data historike, data që festohen për aq sa të rroj një popull e një komb.

Viti 2008 ka hyrë fuqishëm në historinë e Kosovës, ndërsa 2018-ta i jep kuptimin e plotë të shtetit. Formimi i Ushtrisë së Kosovës, është hapi më i rëndësishëm që e bënë Kosovën të barabartë me shtetet tjera. E bënë tamam shtet.

Ashtu siç e kanë thënë shumë intelektual të kohës, po e them edhe unë si një qytetar i rëndomtë; Ramush Haradinaj është i pari lider që beson se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe kjo është edhe arsyeja që Haradinaj edhe po sillet tamam si një lider i një shteti të pavarur dhe sovran.

Pra, Kosova për herë të parë ka krijua raporte tjetërfare me partnerët ndërkombëtarë, kështu duke krijuar edhe një imazh ndryshe krahasuar më një vit më herët. Falë një qeverisje ndryshe, Kosova ka arrit të trajtohet seriozisht edhe nga fuqitë e mëdha të botës.

Një qeveri serioze, arrin të krijoi partneritet serioz me shtetet e fuqishme, duke e kuptuar qartë se nënshtrimi dhe sjellja sipas dëshirës së tjetrit, e ka lënë Kosovën të pazhvilluar, të izoluar, dhe të diskriminuar si shtet e si popull. Kjo ka ndryshua, pavarësisht se nuk kemi arrit sukses në disa procese si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Destruktiviteti i Serbisë ndaj Kosovës, injorimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun mes dy shteteve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ka marrë përgjigjen e merituar. Vënia e tarifës prej 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, fillimisht, dhe së fundmi edhe ndaj brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi, është masa të cilën Kosova ishte e detyruar ta vendoste.

Me këto vendime, Kosova trazoi Serbinë dhe politikën e saj me mentalitet të së kaluarës, por edhe BE-n e cila nuk ishte mësuar të ketë asnjë kundërshti nga politika në Kosovë.

Sado që sipërfaqësisht duket një acarim i raporteve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e vërteta në thelb është ndryshe. Kosova tanimë trajtohet ndryshe nga BE, anipse për të satën herë na mashtruan me vizat. BE përfundimisht e ka kuptuar se nuk mund të vazhdoj tutje me sjelljet e saj kundrejt Kosovës. BE-s iu është bërë e qartë se Kosova tani e tutje nuk mund të llogaritet si mjet përmes së cilit Serbisë i mundësohet hapja e kapitujve të ri.

Pra, Kosova më nuk do të jetë urë përmbi të cilën Serbia kalon drejt anëtarësimit të saj në BE. Kosova kërkon të trajtohet barabarësish në të gjitha institucionet evropiane dhe perëndimore.

Sikur i patëm humbë shpresat se ekziston mundësia që ndonjëherë Kosova do ta ketë një qeveri e cila Kosovën e sheh si tërësi dhe pa sy politik. Ishim të diskriminuar në ndarjen e buxhetit dhe në investime. Madje, edhe në fushata elektorale bëhej thirrje publike për ta votuar kandidatin e caktuar nëse qytetarët duan investime.

Sot, Kosova ka një qeveri e cila ka investua në të gjitha komunat e Kosovës, pa bërë selektime. Çdo komunë e ka prekë dorën e shtetit, dhe taksat e qytetarëve po përkthehen në investime. Nuk ka nevojë për ti duartrokit kësaj, sepse tek e fundit, qeveria këtë punë e ka, ama duhet vlerësuar kjo sepse nuk e kemi përjetuar më parë.

Për fund, asnjë qeveri në përbërjen e saj nuk është ideale, madje është marrëzi ta kërkojmë idealen. Rëndësi ka çfarë rruge ndjek qeveria, qëllimet dhe përpjekja për ta ndërtua një mendësi dhe një standard ndryshe në qeverisje. Nuk është mendim subjektiv, është mendim real, dhe çdo reagim që ka të bëjë me qeverinë, për të mirë ose për të keq, le të merret shprehje e mendimit personal.

Fatkeqësisht, si shoqëri kemi pësua një ndarje të dhimbshme, krejt kjo si pasoj e ndikimit të politikës dhe imponimit të mendimeve të liderëve të caktuar e që për qëllim kanë realizimin e agjendave të tyre partiake. Domosdo duhet të lirohemi nga këto, dhe interes të vetëm ta kemi zhvillimin ekonomik dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Ju uroj shëndet dhe shumë suksese në vitin 2019. Ditë të mira kemi para nesh, le të kontribuojmë bashkërisht dhe me vullnet të plotë ta bëjmë Kosovën një vend interesant për jetë!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE