DYLON

Shkretëtirë fjalësh (cikël poetik)

Shkretëtirë fjalësh (cikël poetik)
Avatar photo Redaksia

BISER MEHMETI

SHKRETËTIRË FJALËSH
( Cikël poetik )

EkoHigjiena

U LINDA VONË

U linda vonë
E do të vdes herët

Në mes lindjes
E vdekjes
Macja e Alan Poes
Nuk më le të qetë

Ditën ndërtoj urën
Natën dikush e prish

Ushqehem me mjegull
Vjell gjysmën e vetvetes

U linda pa dëshirë
E do të vdes me dëshirë

Varri i hapur
Më pret diku në botë

DILEMË

Të rri apo të iki
Nga kjo shkretëtirë
Ku lulet e plastikës
Lotët i fshehin

Dora po thahet
Si lulja pa ujë
Nga zgjoi i bletëve
Që ëndrra i rëndon

Çka të marr
E çka të lë
Nga kjo shkretëtirë
Fjalësh të tepërta

USHQIMI I MËNGJESIT

Çdo ditë e më shpesh
Ushqimi i mëngjesit
Ka shije dhe varresh

Më japin të ha
Bukë të mykur
Gjellë me krimba

Heshti si i vdekuri
Që rri në arkivol
Tash e njëqind vjet

I lus për pak mëshirë
Po mëshira është ndryshkur
Para shumë shekujsh

Ushqimi që ma dhurojnë
M’i përzien zorrët
Më bën të vjell
Tri herë në ditë

Shpesh e ha errësirën
Mallin dhe dhimbjen
Lotin që nuk pikon

Çdo ditë e më shpesh
Ushqehem me vetveten
Që më vështron
Përtej malit me korba

U ZGJOVA GABIMISHT

Njëqind vjet pas lindjes
U zgjova gabimisht
Nga gjumi i vdekjes

Bota bënte luftë të shenjtë
Me djajtë e plakur
Që ishin arratisur
Gabimisht nga ferri

Njerëzit hapnin varre
Për trupat e tyre të vrarë
Në një luftë absurde
Kundër njëri-tjetrit

Një kohë qesha
E një kohë qava
Për botën që zinte në thua
Dhe e thente kafkën e vet

U shtrina gjerë e gjatë
Në mes të dy luginave
Po gjumë nuk arrija të bëja

Më i lumtur
Ndihem kur jam fjetur
Se kur jam zgjuar

VËLLAI IM

qeshte si i marrë
sa herë
kishte nevojë të qante

klithte e tërbohej
sa herë
kishte nevojë të heshtte

e detyronte shpirtin
të pikonte gjak
sa herë
kishte nevojë
të shkruante testamentin

shoqërohej me të vdekurit
sa herë
kishte nevojë
ta pshurrte botën

e vriste veten
sa herë
kishte nevojë të jetonte

FOTOGRAFIA JOTE

bashkë me kornizën
po ndryshket
edhe fytyra jote
në murin e nxirë

flokët të janë thinjur
nga pritja që nuk përfundon
qeshja të ësht ngrirë
dhëmbët të janë prishur

sytë të janë errësuar
nga lotët që nuk ndalën
prej ditës kur u arratise
përtej shtatë kodrave

fjalët sorollatën
nëpër hapësirën e ftohtë
bashkë me erën
që ulërin si ujk i uritur

sa herë të shikoj
kujtimet si mjegulla
më mbështjellin sytë

shpesh zbret ngadalë
me dorën e gjymtë
retë i dëbon
nga shpirti i ngurtësuar

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.