“-Biro, shiko ku po e qet hapin, – i tha baba djalit.
-O babë, shiko Ti ku po e qet hapin, se ne hapave tu do të shkojmë!,ia ktheu djali”.
Shkruan: Nehat M.Ramadani
Kështu ngjet t’i ketë porositur bijtë gjyshi Mulla Hasan Masurica (22.1.1869-1942) medresist i Shkupit, arkitekt, shkencëtar, inxhinierë, shpikës dhe myezin shqiptar, i cili konsiderohet një nga shpikësit kryesorë ndër figurat e spikatura të shkencës në fund të viteve 1880 dhe fillim të viteve 1900.
Masurica është i njohur për ndërtimin e një aeroplani prej plepit. Thuhet se aeroplani ka fluturuar rreth 50-70 metra. Kjo ishte bërë në vitin 1889, kur Hasani ishte 30 vjeç.
I biri Selami Masurica kishte mbaruar studimet matematikë-fizikë dhe kishte shërbyer mësimdhënës në fshatrat e Kamenicës, në Malishevë të Gjilanit, si mësimdhënës e drejtor shkolle, për t’u pensionuar si edukator nga Konvikti i nxënësve dhe studentëve në Gjilan.
Personazhi i këtij shkrimi është brezi i tretë i Hoxhë Hasan Masuricës, nipi i tij, Firdeus Masurica, i lindur më 6 shkurt 1955 në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në Gjilan, të mesmen në Gjilan e Kamenicë, ndërsa shkollimin universitar në Akademinë e Arteve, Prishtinë 1979/80.
Në vitin 1980 fillon punën kreator mode në Kombinatin e tekstilit “Integj” deri ne vitin 1990, kur të gjithë të punësuarit e grevës së 3 shtatorit largohen nga puna, largohet edhe Firdeusi.
Pas largimit nga Kombinati i tekstilit, Piktori akademik Firdeus Masurica punësohet në SHFMU.”Abaz Ajeti” për tre vite , prej ku kalon ne SHME.”Marin Barleti”, ku punon deri ne vitin 1999.
Prej vitit shkollor 1998/99 profesor Firdeusi punoi në SHMU.”Rexhep Elmazi”, ku edhe e gjeti pensionimi.
Gjatë gjithë punës së tij profesor Firdeusi u dëshmua si punëtor i madh, profesionist shembullor dhe pedagog i dalluar. Puna me nxënës në klasë dhe ekspozitat e punimeve të nxënësve nuk dalloheshin nga ajo të ateleve profesioniste, si për nga temat e trajtuara, profesionalizmi dhe mesazhet që përcillnin.
Se thënia me të cilën e filluam shkrimin është adekuate për Familjen Masurica, e dëshmon fakti se profesor Firdeusi ka një familje të arsimuar e të edukuar. Dy djemtë e mëdhenj të Firdeusit kanë trashëguar artin e babait, i madhi Rolandi ka mbaruar masterin në pikturë dhe është drejtor i Shkollës profesionale të artit pamorë, Roberti masterin në fakultetin e arteve dega grafikë, ndërsa Patriku studion shkencat kompjuterike.
Në fund urojmë profesor Firdeusin për shëndet të mirë, e që për kohë të gjatë të gëzojë pensionin! /2LONLINE.com/