Asociacioni Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim Gjithëpërfshirës të UN-HABITAT organizoi takimin e radhës të Kolegjiumit për Planifikim Hapësinor, si vazhdim i aktiviteteve të parapara në harmonizimin e veprimtarisë për Komunat në fushën e urbanizmit.
Ky takim është pjesë e konsultimeve të vazhdueshme të organizuara në mes të Drejtorëve të Urbanizmit, Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ndërtimit në Komunat e Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare sikurse Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) si dhe Institutit për Planifikim Hapësinor, në mbështetjen e zhvillimit të politikave dhe kornizës ligjore në fushën e planifikimit hapësinor.
Përfaqësues nga Departamenti i Planifikimit Hapësinor, Banimit dhe Ndërtimit nga MMPHI prezantuan të gjeturat nga vlerësimi EX-post i Udhëzimit Administrativ të Normave Teknike për Planifikim Hapësinor, duke vazhduar me informata të hollësishme nga procesi aktual i Projektligjit për Planifikim Hapësinor dhe një prezantimi të detajuar të Projektligjit për Administrimin e Ndërtesave dhe Lagjeve në Bashkëpronësi.
Sa i përket zhvillimit të dialogut dhe zbatimit të politikave në fushën e planifikimit e ndërtimit, në mes të institucioneve lokale dhe qendrore, pjesëmarrja dhe kontributi i komunave në këtë proces u konsiderua nga të pranishmit si domosdoshmëri për prodhimin një kornize ligjore sa më të zbatueshme dhe të përshtatshme.
Një theks të veçantë pati dhe sesioni që trajtoi Rregulloren Komunale për Bonuse të Zonimit, me ç ‘rast drejtori i Drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit nga komuna e Podujevës ofroi një prezantim mjaft produktiv për metodologjinë e procesit të hartimit të kësaj rregulloreje në komunën e Podujevës, duke ofruar për anëtarët e tjerë të Kolegjiumit elemente relativisht te nevojshme për hapat e këtij procesi.
Temat e trajtuara gjatë këtij takimi u pasuan me një diskutim shumë konstruktiv për zbatimin dhe efektivitetin e politikave dhe proceseve të lartpërmendura në fushën e planifikimit hapësinor, me specifikë të veçantë në komunat e Kosovës. /2LONLINE/