Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi priti në takim këshilltarin e lartë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në EULEX, Alan Willson dhe këshilltarin Regjional të Programit EXBS, z. George Clarke.
Gjatë këtij takimi ministri Gashi falënderoi për kontributin e tyre për funksionalizimin e Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) si një nga qendrat model për rajon.
Me këtë rast, ministri Gashi u zotua se do të ofrojë përkrahjen e tij që QKMK të avancojë edhe më tutje në një qendër bashkëkohore sa i përket menaxhimit të kufirit.
“Falë ndihmës suaj Republika e Kosovës ka bërë avancime të rëndësishme sa i përket zhvillimit të koncepteve bashkëkohore për menaxhimin e integruar të kufirit sipas metodave që përdorin shumica e vendeve të BE-së në menaxhimin e kufirit”, tha ministri Gashi.
Në këtë takim u bë e ditur që shumë shpejt pritet të miratohet Plani i Veprimit i QKMK-së, në të cilin janë paraparë të ndërmerren veprime në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të shërbimit e mekanizmave shtetëror.
MPB përmes mekanizmit të QKMK-së i inkurajon qytetarët që të shfrytëzojnë numrat pa pagesë 080050095 po ashtu me sms në numrin 50095, në të cilët mund të raportojnë çdo dukuri negative që vërejnë në kufi dhe në brendi të vendit që ndërlidhen me sigurinë kufitare, evazionin fiskal, shëndetin publik, etj.