BOTIM I RI
Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, SHB “Dritapress” e Prishtinës, ditë më parë botoi veprën e autorit Mehmetali Rexhepi me titull: “URTIANA”, poezi, 2023.
Ramadan Mehmeti
ARTI KUNDRUALL ABSURDIT
Poeti Mehmetali Rexhepi, tashmë i sprovuar në fushën e prozës, në kritikë e studime letrare-eseistike-estetike e publicistike, vijon kultivimin e poezisë me pjekuri të dukshme, edhe në vëllimin më të ri poetik “URTIANA.”
Motivet, idetë, reflektimet figurative, estetika e kësaj poezie shtrijnë gjymtyrët dhe rrokin përmasa të së madhërishmes dhe të bukurës; me gërshetime ngërthesash të rëndomta e të ndërlikuara të jetës, që ndërvaren, puqen, kushtëzohen ndërsjellash, pleksin madhështinë, tragjiken, ironinë, absurdin e pashëruar njerëzor, filozofinë e shkëlqimit jetë-shkurtë në jetën njerëzore.
Poeti në tetë ciklet e këtij vëllimi poetik, me depërtime ideore e figurative, shtjellon e shtron mëtimet njerëzore për kërkime dhe hulumtime në globin tonë dhe në univers… Njëkohësisht vë në pah shfrenimin dhe shkallmimin e ambicies së njeriut, për mbizotërime të racës mbi racën; duke shkrirë intelektin për nënshtrimin e racës, po në emër të epërsisë të një race të shpifur?!
Autori i këtij vëllimi poezish, Mehmetali Rexhepi qëmton dhe thurë poezi të kontrasteve, të antonimikeve ironike, grackash e dhimbjesh, mallëngjimesh për përdhosjen e dhuntive, që i sjell realiteti jetësor e kozmik, si dhunti të jetës, të shkëlqimeve dhe të errësimit të saj. Me një fjalë: brenga e poetit bëhet lajtmotiv i ekzistencës për shpëtimin e bukurisë.
Të gjitha këto qëmtime ideore e ekzistenciale, përmes sprovave të poetit, kondensohen nga pena hulumtuese, për të nxjerrë në pah tipare të reja ideore e figurative në poezi. Poeti ndërthurë etikë dhe estetikë të atillë, e cila mëton të mos mbeten veçse një rutinë subjektive e autorit. Të gjitha sprovat e përjetimet, pleksen në një filozofi poetike prore në lëvizje por, me peshën e përsëritur të absurdit!… Përmes modeleve ideore e figurative të ngërthyera në këtë poezi, poeti Rexhepi kërkon korrigjimin e pashmangshëm të kaheve të absurdit, për ngadhënjimin e homo sapiens-it. Këso konstatime të këtij diskursi i hasim të reflektuara në tërë hapësirën e vëllimit “URTIANA.” Por, për ta konkretizuar pohimin, le t`i nënvizojmë vetëm ca nga shembujt ilustrues të poezive, si: “Fjalët miope dhe mrekullia”, “Metafora e detit” në ciklin e parë; “Lura”, “Ku ngrijnë viruset” në ciklin e dytë; “Ibershimet e prillit” dhe ”Boshti” në ciklin e katërt; “Mendje miope” e “Shkrolat nëpër gjemba” (poemë) në ciklin e gjashtë; “Sipëria e një trinie” në ciklin e shtatë; “ Ura për kapërcimin e natës” në ciklin e tetë dhe të tjera.
Arti i poezisë i poetit Mehmetali Rexhepi në vëllimin “URTIANA”, i shërben kërkimit fisnik për zbutjen e egërsisë së çnjerëzores dhe, kultivimin e bukurisë së mendimit në resurset njerëzore.
A duket diçka e tillë nën shtresën e hollë të ozonit? Këtu nuk pushojnë përsiatjet dhe brengat e urtisë poetike të librit “URTIANA.”