Për 400 familje me gjendje ekonomike jo të mirë, sot janë siguruar produkte ushqimore e higjienike nga donacionet e qytetarëve të Kosovës dhe nga Diaspora.
Fushata #700për700 u ogranizuar nga Komuna e Kamenicës, organizata GERMIN, platforma “Invest in Kamenica” dhe Global Albanians Foundation, dhe u përkrah edhe nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe “Besa Foundation” – Rrjeti i parë i bizneseve shqiptare në Gjermani”.
Të pranishëm në pranimin e këtyre donacioneve ishte Kryetari i Komunës së Kamenicë Qëndron Kastrati, Sihana Bejtullahu dhe Arbnor Mjeku nga organizata Germin, Astrit Panxha dhe Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
I pari i Komunës, Qëndron Kastrati tha se është shumë i lumtur që me mobilizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve nga Kosova dhe mërgata, po u plotësohen nevojat bazike familjeve në nevojë gjatë kësaj gjendje.
“Pandemia e shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, ka rënduar supet e këtyre familjeve, kurse me mobilizim të jashtëzakonshëm të qytetarëve e bashkëqytetarëve tanë nga mërgata, po u plotësohen nevojat e tyre bazike, faleminderit 400 herë. Kjo fushatë u organizua në bashkëpunim me organizatën GERMIN, platformën “Invest in Kamenica” dhe Global Albanians Foundation, u përkrah edhe nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe “Besa Foundation” – Rrjeti i parë i bizneseve shqiptare në Gjermani, u jemi mirënjohës gjithmonë”, tha Kastrati.