Policia e Kosovës, ka bërë me dije se më 04 janar 2017 rreth orës 20:50 në Rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, nga policia është arrestuar i dyshuari Sh. A. (1990), shqiptar- shtetas i Kosovës, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit’’.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se i personi në fjalë dyshohet se diku në javën e fundit të muajit dhjetor të vitit 2017 duke u prezantuar rrejshëm si përfaqësues i Organizatës Qeveritare Gjermane ,,GIZ’’, është paraqitur në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan ku pas kontaktit më zyrtarët e kësaj drejtorie, duke prezantuar fakte të rreme ka arrit t’i bindë ata se gjoja organizata të cilën ai e përfaqëson ka shpreh gatishmërinë që t’i ndihmoj shkollat e Komunës së Gjilanit me inventarë dhe pajisje tjera elektronike si kompjuter etj.
“Pas takimit të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit dhe Drejtorët e shkollave të Komunës së Gjilanit i dyshuari krijon raporte të mira më disa nga ta ku pastaj fillon realizimin e planit të tij për t’i mashtruar dhe të iu marrë para. Dyshohet se fillimisht ka mashtruar njërin nga përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan nga i cili arrin që të marrë para të gatshme në vlerë prej 430€ pastaj ka mashtruar edhe një drejtor të një shkollë fillore nga i cili po ashtu arrin të marrë një shumë të parave prej 50€”, ka sqaruar Hashani.
Sipas tij, i dyshuari është intervistuar në prezencën e mbrojtësit ku janë gjetur prova të qëndrueshme që lidhen me veprën për të cilën dyshohet. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me vendim të tij i dyshuari është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar.