Historia po përsëritët!

Historia po përsëritët!

“Vetëm budallenjtë mësojnë nga pësimet e veta, unë mësoj nga pësimet e të tjerëve” Kjo thënie e cila i atribuohet Bizmarkut e që në të vërtet i përket visareve latine, është në fakt baza që e bënë shkencën e historisë si njërën nga lëmit që politika e një shteti duhet ta konsultoj në vazhdimësi për të “mos mësuar nga pësimet e veta”.

Shkruan: Fadil Kajtazi

Fatkeqësisht brezi i politikanëve që tani po udhëheqë me shtetin e Kosovës nuk ka afinitet dhe kapacitet të mësojë nga pësimet e të tjerëve por as të paraardhësve tanë, kurse ata të shtetit amë si duket janë shitur keq.

Pozicioni gjeopolitik në të cilin është vendosur Shqipëria pas votës kundër SHBA-së në OKB dhe pozicioni që po orvatët ta marr udhëheqësja e Kosovës në raport me SHBA- me synimin për të abroguar ligjin për gjykatën speciale, i vendos këto dy shtete në pozitë të para njëqind viteve kur shërbimet serbe, turke, greke dhe italiane kishin organizuar rebelimin e shqiptarëve kundër shtetit të tyre dhe protektorit Vid, dhe krejt kjo me qëllim që fuqitë garantuese të shtetësisë se Shqipërisë së atëhershme të dëboheshin nga Shqipëria, pastaj ajo të copëtohej copa copa. Fatkeqësisht dy qeveritë e shteteve shqiptare pas njëqind vite po përsërisin të njëjtat gabime.

Si filloi demolimi i shtetit nga serbet, turqit, italianët dhe greket me 1914

Tradita e Serbisë për t’i diskredituar shqiptarët para Evropës së krishterë, duke shfrytëzuar besimin islam të shumicës së tyre, mes tjerash dokumentohet nga studiuesi Marenglen Verli në përmbledhje studimesh “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze 1878-1918”, Klean, Tiranë, 2014. Bazuar në fakte, profesor Verli, na i pasqyron faktorët nxitës të rebelimit nga Lëvizja Haxhi Qamili, lëvizje kjo e veshur me petkun e “Islamit” por që në fakt ishte e nxitur kryesisht nga Serbia, Turqia, Italia dhe Greqia.

Këto fakte janë burimore dhe pasqyrojnë realitetin e implikimit direkt serb në rrënimin e shtetësisë së brishtë shqiptare:

“Sipas dokumentacionit austro-hungarez, qeveria serbe kish futur në veprim agjenturën e saj në radhët e parisë në Kosovë, financonte me 10.000-20.000 napolona ari Aqif Hiqmetin e dërguar nga xhonturqit në Dibër për propagandë dhe për krijim grupesh të armatosura.

Gjithashtu, autoritetet serbe nxisnin midis myslimanëve shqiptarë kundërshtimin e Vidit dhe, madje, në viset e Remjes, Ohrit dhe Prespës, i rekrutonin si xhandarë dhe që nga Dibra i kalonin në Shqipëri.

Atasheu ushtarak i Austro-Hungarisë në Beograd, majori Galinek, njoftonte shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Vjenë (Conrad) më 29.V.1914, se qëndrimi i Serbisë qysh kur u krijua Shqipëria konsistonte në shtimin e vështirësive për konsolidimin e saj, në dërgimin e armëve dhe municioneve në Shqipëri dhe në veprime që synonin shkatërrimin e shtetit shqiptar.

Në të njëjtën kohë me veprimet e serbëve, xhonturqit organizonin në Stamboll e Selanik oficerë me origjinë shqiptare (janë identifikuar disa me origjinë nga trevat shqiptare nën sundimin serb, si Mehmet Arifi nga Tetova, Sait Rifati nga Struga etj.) dhe i dërgonin në Shqipëri. Prania e agjitatorëve të tyre në zonën e kryengritjes konfirmohet edhe nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë në Komiteti Ndërkombëtar i Kontrollit (Kral), i cili i kish kontaktuar ata gjatë takimit që përfaqësuesit e KNK kishin pasur më 27 maj me kryengritësit.” (Fq. 206).

Gjithashtu impenjimin serb në rebelimin e Lëvizjes së Haxhi Qamilit, në funksion të futjes së shqiptarëve në konflikt me fuqitë perëndimore si garantuese të pavarësisë së Shqipërisë, profesor Verli e dokumenton me “Raporti i ambasadorit të Austro-Hungarisë në Romë, Von Merey-t, dërguar më 4 qershor 1914 ministrit të Punëve të Jashtme, kontit Berchtold në Vjenë, lidhur me situatën në Shqipëri”.

Ky raport është një analizë e thellë e gjendjes në Shqipëri të cilat quan në rebelimin e Lëvizjes së Haxhi Qamilit ku dominuese është përfshirja e strukturave agjenturore turke e serbe. Vet platforma e cila u hartua nga rebeluesit e aprovuar në një “lloj kongresi” i mbajtur me 3.06.194, flet për këtë përfshirje. Në të kërkohej “përmbysja e princ Vidit dhe qeverisë së tij, bashkimin e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, vendosjen e një princi turk në Shqipëri, përdorimin e flamurit osman në vend të atij shqiptar, përdorimin e gjuhës turke etj”(fq. 261-62).

Kurse raporti i Von Merey këtë e qartëson edhe më shumë. Në të thuhet: “Pyetja e parë e cila kërkon përgjigje është ajo që ka të bëjë me origjinën e lëvizjeve aktuale në Shqipëri. Në bazë të të gjitha informatave ekzistuese, besoj se nuk gabohem të supozoj se në prapaskenë, në radhë të parë, duhet të kërkohen intrigat turke…

Por deri në ç’masë operohet tani prej Stambollit me agjitatorët dhe oficerët e saj në Shqipëri, ose lejohet të veprohet për princin Burhanedin ose, më në fund, bashkëveprohet me agjentë serbë dhe madje me tradhtarë shqiptarë të tipit të Esad Pashajt, këto gjëra mund të konstatohen me siguri vetëm e vetëm në vend(në Shqipëri-red).

Në kryengritjen e tanishme në një lidhje ndofta të jashtme me këto manovra të turqve merr pjesë me siguri edhe Serbia, por në esencë duke ndjekur qëllime të tjera, domethënë atë të krijimit të kushteve katastrofike në Shqipëri. Përforcimet e trupave serbe në kufirin shqiptar, të konstatuara me çudi në këto kohët e fundit nga ne dhe Italia, e paraqesin të afërt fillimin e ndonjë aksioni…” (Fq.269-70).

Më poshtë Von Merey merret edhe me impenjimet e Greqisë dhe të Italisë për cilët i vlerëson gjithashtu se janë të përfshirë në këtë ndërmarrje por edhe të faktorëve të brendshëm ku në spikamë e vë edhe mundësinë e ndikimit të mentalitetit anarkik për të cilin ai thotë se është “si një protestë kundër taksave, shërbimit ushtarak dhe “dhuratave” identike të kulturës evropiane, të cilat janë të urryera në mënyre të posaçme prej shqiptarëve.” (fq. 270).

Sigurisht që raporti i Von Merey nuk ka vend që të merret me faktorët që kanë kultivuar mendësinë anarkike të shqiptarëve, por dominues është sundimi osman ndër shekuj, gjë të cilën strukturat e specializuara të spiunazhit serb arritën ta orientojnë në dobi të tyre.

Është me interes të përmendet fakti i ruajtjes së vazhdimësisë së veprimit të agjenturës serbe në drejtim të shqiptarëve dhe, shfrytëzimi i elementit fe në funksion të përçarjes në mes tyre dhe “të krijimit të kushteve katastrofike në Shqipëri” edhe pas demolimit të shtetit serb nga Austro-Hungaria me 1914.

Kjo është e evidentuar në një raport të përgatitur nga Hoxha Kadriu dhe firmosur nga Kryesia e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” të datës 27.08.1919. Pjesa e raportit që bënë fjalë për këtë aktivitet mban titullin “Intrigat e tyne” dhe vazhdon: “Për me i mrri qëllimet e tyne serbët jan tue përkrahë gjithnji gjinden e Esadit e po spërdajnë shuma të mdhaja me një propagandë të rrept anti-italiane. Pos kësaj po përpiqën gjithnji me i shtië ngatrresat ndërmjet shqiptarve muhamedanë e krishtenë”. Marenglen Verli, “Nga Kosova për Kosovën” BOTIMPEX, Tiranë, 2006, fq.283.

Në rrethanat e tanishme, nga procesi “krijimit të kushteve katastrofike” në Kosovë mund të përjashtohet Italia, si dhe njëfarë mase Greqia. Impenjimi i Serbisë dhe i Turqisë së Erdoganit na paraqitet i ngjashëm sikurse ai i vitit 1914 përmes Lëvizjes së Haxhi Qmilit.

Natyrisht se tani “Lëvizjet” lëvizin ndryshe, por që esenca mbetet “krijimi i kushteve katastrofike” për t’i vërtetuar Serbisë tezën e përhapur nga diplomacia e saj për “Kosovën shtet jofunksional”

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE