Shqiprim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës përmes një deklarate për media ka folur për situatën e krijuar mes koalicionit qeverisës APN-PVD duke vlerësuar se po tentohet të përdoret për të mbuluar tradhtinë dhe dinakërinë e këtij subjekti politik në aspektin e koalicionit, është e dëmshme dhe e nxitur nga apetite të pastërta për korrupsion dhe keqpërdorime financiare.
Kjo është deklarata e plotë e Shqiprim Arifit:
Situata politike e krijuar së fundmi, e shkaktuar nga ana e partnerit koalicionar përmes deklaratës qesharake dhe amatoreske të lëshuara nga PVD, deklaratë e cila po tentohet të përdoret për të mbuluar tradhëtinë dhe dinakërinë e këtij subjekti politik në aspektin e koalicionit, është e dëmshme dhe e nxitur nga apetite të pastërta për korrupsion dhe keqpërdorime finansiare, të cilat kanë qenë të ndaluara gjatë qeverisjes nga APN.
Akuzat banale dhe absolutisht të pabaza të paraqitura nga ky subjekt politik i famshëm për manipulime të llojit si ky i fundit janë lehtësisht të demantueshme. Pikat e përmendura në këtë deklaratë, në momentin e publikimit, një pjesë e tyre ishin në diskutim e sipër, një pjesë janë të eksagjëruara dhe një pjesë e madhe janë plotësisht të fabrikuara dhe shpifura me qëllim të krijimit të hutisë tek qytetarët e komunës së Preshevës.
Pamundësia për të realizuar apetitet zhvatëse të këtij subjekti politik dhe friga nga organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme, e shtyu subjektin në fjalë që në bashkëpunim me një grup të këshilltarëve të cilët nuk kanë mandat nga populli, të ftoj seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetarit të komunës.
Kjo tentativë për shkarkim të kryetarit me një shumicë të falsifikuar dhe të bazuar vetëm në interesa personale përveç se do të ndërpresë procese zhvillimore të inicuara së fundmi, gjithashtu krijon një klimë të jostabilitetit duke e ditë qëllimin se pse po formohet kjo shumicë.
Më poshtë janë sqarimet për disa nga akuzat e lëshurara nga PVD:
– Parimi i parë i marrëveshjes koalicionare i cili është thyer nga PVd është parimi i ndalimit të nepotizmit dhe punësimeve të dyfishta. Parim ky i cili u thye në seancën e parë nga emërimi i kryetarës së Kuvendit e cila nuk e ndaloi punën e saj si mësimdhënëse si dhe emërimi i sekretares së kuvendit, familjare e kryetarës së kuvendit. Kjo është thyerja e parimeve themelore të marrëveshjes e jo kalimi i këshilltarëve nga PDSH në APN, thyerje e cila është toleruar nga ana e APN-së për hirë të proceseve në shoqërinë tonë.
– Secili i angazhuar në administratën komunale për shkak të ligjit të restriksionit mbi punësimin, është angazhuar me kontratë në vepër, sidomos të PVD-së, gjë e cila brenda kohës, me insistimin dhe kërkesat tona drejtuara Ministrisë është evituar.
– Kryetari i komunës nuk e ka injoruar në asnjë moment zëvëndës kryetarin e komunës dhe kryetaren e kuvendit, Riza Halimi përmes kontrollit diktatorial ndaj kryetares së kuvendit dhe zv. Kryetarit të komunës ka instaluar një pushtet paralel brenda komunës ku asnjë vendim nga këta dhe as edhe nga punëtorët e tjerë të administratës së komunës nuk është marrë pa imponim nga ana e Riza Halimit. Shembull konkret për këtë është shkarkimi i zëvëndës kryetarit të komunës, z. Xhelal Memeti që konfirmon mënyrën se si Riza Halimi i shfrytëzon dhe margjinalizon njerëzit të cilët kanë qëllime të sinqerta për një kontribut për shoqërinë.
– Manipulimi i vazhdueshëm i Riza Halimit me njerëzit e partisë së tij dhe me shifra, si rasti i projektit të rrugës së Karposhit, ku bënë dallime të çmimit 60miljon neto dhe 86 miljon bruto, ku kjo bëhet në mënyrë tendencioze por më shumë kamufluese për shtypjen të cilën e ka nga bizneset për të kthyer borxhin e harxhimeve të fushatës së vitit 2016 dhe blerjes së votave. Riza Halimi është monopolist politik, dhe kjo e fundit është iniciativë e ndërtimit të monopolit të tenderave për shkak të bizneseve të cilat e kushtëzojnë me votë në kuvendin komunal.
– Kur Riza Halimi flet për shkollët mbi 20 vite, Alternativa për Ndryshim për më pak se një vit në pushtet siguroi projekte për shkollën fillore “Ibrahim Kelmendi” 106 miljon dinar dhe për gjimnazin “Skenderbeu” siguroi 36 miljon dinar.
– Normalisht që me një manipulues dhe mashtrues të njohur me dekada si i tillë është vështirë të negociohet një buxhet. Në pregatitjet e buxhetit të vitit 2017, PVD në krye me Riza Halimin nuk ka ofruar asnjë propozim konkret. Pas insistimit tonë, më në fund kemi pranuar një listë amatoreske me projekte elektorale të cilat me shumë dashamirësi për hirë të proceseve e kemi inkuadruar aq sa ishte e mundshme në buxhet. Vlen të theksohet se buxheti i pregatitur me transparence dhe me pjesëmarrje të të gjithë akterëve është votuar edhe nga opozita në kuvend.
– Në lidhje me OKF, RTP dhe Fondin Humanitar, Riza Halimi shpif, sepse këto tema kanë qenë të hapura dhe nuk ka përfunduar diskutimi. Siç dihet në opinionin e gjërë, RTP, Fondi Humanitar dhe OKF janë bastione të punësimit të aktivistëve të PVD-së. Më absurdja është tentativa e kushtëzimit të aprovimit të themelimit të Teatrit me vazhdimin e finansimit të këtyre institucioneve.
– Marrëveshja mes Riza Halimit dhe kryetarit të Komunës ka qenë që të hapet një zyrë për zëvëndës drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, në momentin kur u kuptua se dr. Driton Salihu do të jetë i emëruar në këtë post, ai bllokoi hapjen e kësaj zyre duke motivuar dhe manipuluar drejtorin e shtëpisë së shëndetit për shkaqe personale. Përsëri për hirë të proceseve nga ana e Alternativvës u tolerua edhe kjo gjë.
– Për sa i përket binjakëzimit, kryetari i bashkisë së Bursës ishte ai i cili caktoi se me cilën komunë të Bursës duhet të bëhet binjakëzimi. Kjo u shfrytëzua nga Riza Halimi për të sjellë një konflikt artificial në mes kryetarit dhe zëvëndës kryetarit të komunës duke e manipuluar z. Xhelal Memetin.
– Secilit investitorë të mundshëm i është siguruar shërbimi më i mirë i mundshëm në institucionet relevante, sikur edhe kompanisë nga Jagodina e cila nuk ka arrit të sigurojë kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm për të siguruar subvencione nga agjencioni regjional për zhvillim. Një nga arsyet ka qenë edhe zhiro llogaria e bllokuar më herët e kësaj kompanie.
Konkludojmë se arsyet pse ka stopuar Riza Halimi komunikimin me kryetarin e komunës, kur të gjitha këto paqartësi kanë mund të gjejnë zgjidhje sikur edhe çështjet tjera, nuk është parë e arsyeshme të bisedoj me APN por është parë më e arsyeshme të bisedohet me Talat Arifin, Skender Destanin dhe Naser Azirin për të bërë një tradhti të këtillë dhe të organizohet një puç politik kundër proceseve pozitive.
BURIMI: Titulli.com