Shkruan: Arsim KASTRATI
Integrimi i Kosovës në NATO, BE dhe OKB, varet nga aftësia e lidershipit të saj politik, për ta mbajtur vendin e tyre në bordin e politikës euroatlantike.
Nëse vazhdimësia e njohjeve të pavarësisë së vendit tonë, siguria dhe integrimi i tij në organizata të rëndësishme politike dhe ushtarake varet nga vullneti i Amerikës, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar atëherë, lidershipi ynë politik do të duhej të gjente forcë e mençuri, për ta mbajtur vendin tonë krah tyre.
Nëse duam ta ruajmë dhe përparojmë shtetin tonë atëherë, nuk duhet t’ua kthejmë shpinën nismave të tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ballkanike!
Ukraina është Europë dhe Europa e Amerika me ndihmën e tyre të madhe janë aty, përkundër Rusisë, së bashku me Ukrainën. Dhe nëse ato duan që ta sigurojnë Ballkanin të mos përfshihet në vallen e çmendur të luftës, ne në asnjë mënyrë nuk do të duhej të bëheshim pengestarë të angazhimeve të tyre gjeopolitike!
BE dhe Amerika kanë një plan për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë e Kosovës dhe proceset integruese euroatlantike si dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i vendit tonë, shkojnë përmes bisedimeve dhe përmes këtij plani.
Nëse nga bisedimet në kuadër të këtij plani, Kosovës do ti vijnë 5 njohjet e munguara europiane, anëtarësimi në NATO, BE dhe perspektiva e qartë dhe e arritshme e anëtarësimit në OKB atëherë, lidershipi ynë aktual politik, pozitë e opozitë, nuk do të duhej ta refuzonin këtë plan!
Nuk trazohet Bota përditë e me t’thanë: “eja se po m’duhesh, eja t’a shoh pak atë dertin tand”!
Politika është jep-merr, falas aty asgjë s’ka, për me i marr dy, një duhesh me dhanë dhe bisedime pa kompromise nuk ka! Fundi fundit vendimet e Gjykatës sonë kushtetuese do të duhej që edhe pa presion ndërkombëtar ti zbatojmë kurse Bashkësinë e komunave me shumicë serbe e kemi obligim ndërkombëtar të nënshkruar. Si të tillë e sipas ligjeve të vendit tonë, do të duhej edhe ta pranonim por, asesi në mënyrën dhe modelin e një entiteti me premisa politike pavarësiste dhe separatiste!
Nëse Republika e Kosovës sipas kushtetutës së saj nuk ka të drejtë të bashkohet me shtete të tjera atëherë edhe pjesët e territorit të saj nuk duhet ta kenë derën çelë për ndarje nga ajo.
Aty ku ishim para një dekade, aty po ndodhemi përsëri, refuzimi për tu ballafaquar me realitetin na ka penguar të ecim përpara.
Fajtorët për këtë ja lëmë historisë t’ua qëndis vargjet. Sot karshi Serbisë dhe sot kur miqtë tanë ndërkombëtar na thërrasin që t’u ndihmojmë atyre, duke i ndihmuar vetvetes sonë në radhë të parë, sot ma merr mendja mua, nuk bënë t’u themi JO! /2LONLINE/