Zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë, Gernot Pfandler. Në këtë takim, ambasadori austriak u njoftua për proceset, nëpër të cilat po kalon Ministria e Diasporës, përkatësisht për dikasterin e investimeve strategjike në kuadër të Ministrisë.
“Me investimet strategjike na pret një detyrë e re dhe dinamike. Tërheqja e investitorëve të huaj dhe lehtësimi i procedurave administrative për mbarëvajtjen e investimeve është prioritet i Qeverisë”,-ka thënë zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Nga ana tjetër, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ka përshëndetur nismat e reja të Qeverisë, duke shprehur gatishmërinë e shtetit që përfaqëson për t’i ndihmuar proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Në Kosovë operojnë dy nga investitorët më të mëdhenj nga Austria: Raifaisen Bank dhe Kelag International. Dhe mund të ketë më shumë investitorë austriakë në Kosovë”,- ka thënë ambasadori Pfandler.
Ambasadori austriak e ka ftuar zëvendëskryeministrin Dardan Gashi për një vizitë në Austri.