Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot ka bërë të ditur kandidatin e saj në garën për kryetar të komunës së Gjilanit, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, e ai do të jetë, Nazim Gagica.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e prezantuar kandidaturën e Gagicës për të parin e Gjilanit, ka thënë se kanë kandidat për kryetar njeriun që ka kryer detyra ekzekutive në arsim, ekonomi, administratë dhe ka më shumë dekorata se sa rroga që ka marrë.
“Kandidati i Aleancës gjatë punës së tij nëpër sektorë të ndryshëm në qeverisjen komunale, është njohës i qeverisjes komunale, ka marrë dekorata nga vendorët dhe ndërkombëtarët më shumë se sa numrin e rrogave që e ka”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, Gagica njeh thellësisht qeverisjen komunale, të çështjeve në komunë, është i përgjegjshëm dhe ka transparencë dhe se ai është kandidati perfekt, i duhur dhe i vetëm për Gjilanin.
Përndryshe, kandidati i AAK-së për kryetar komune në zgjedhjet e tetorit, Nazim Gagica aktualisht është drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, ndërsa më parë ka qenë edhe Drejtor i Administratës së Përgjithshme, udhëheqës i Kulturës në Drejtorinë për Kulturë në Gjilan, ligjërues në universitetin ‘Fama’, si dhe anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE.com/