Lutfi Haziri, njëri nga mbështetësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, është ndër figurat më të ndritshme dhe më të spikatura politike nga fund vitet e `80-ta e deri më sot.
VAID ALIU
Që nga atëherë, Lutfi Haziri u shfaq i gatshëm t`i mbështeste projektet e mëdha për lirinë e vendit, madje me ndihmesa konkrete. Kishte marrë mbi vete detyrë t’i ndihmonte proceset e LDK-së. Gjithnjë gjente motiv dhe kohë për të marrë pjesë aktive në punët e partisë së shumëpritur dhe të posa formuar.
Në ato vite ndodhën zhvillime me rëndësi të veçantë për të ardhmen e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë. Mbretëronte kauza për Republikën e Kosovës. Shkaku i kësaj kauze, që po përkrahej masivisht nga populli, shqiptarët, sistematikisht po largoheshin me dhunë nga puna.
Ndjehej një nevojë e madhe për bashkimin e shqiptarëve në Kosovë rreth një projekti të formësuar dhe të qartë politik, që identifikohej me LDK-në dhe presidentin Ibrahim Rugova.
Përkrah tij ishte rreshtuar edhe Lutfi Haziri, përkundër asaj që familja e tij ishte e vendosur në Zvicër, me kryefamiljarin, axhën Emrush, i cili u shqua për disa dekada me kontribute të shumta. Ai vendosi që stoikisht t’iu qëndrojë parimeve dhe bindjeve të veta patriotike për atdhe, duke marrë mbi vete detyra të tjera në lëvizjen e prirë nga LDK.
Të rrallë ishin ata aktivistë që hynin në rezidencën e kryetarit Rugova pa paralajmërim e pa përdor zilen, për dallim prej Lutfi Hazirit, të cilit, kjo e drejtë iu kishte dhënë nga kryetari Ibrahim Rugova. Arsyeja ishte se kishin horizontin e përbashkët politik.
Në të gjitha zgjedhjet doli fitues absolut, kundrejt kandidatëve të tjerë. Përderisa drejtoi pushtetin, sukseset e tij ishin dhe janë evidente. Infrastruktura e fshatit, gjithandej, është përmirësuar dukshëm, kurse qyteti po merr një pamje krejtësisht tjetër. Janë rregulluar rrugët, trotuaret, ujërat e zeza po sistemohen, ndriçimi publik, hyrje-daljet e qytetit me katër krosi, po ndërtohet autoudha Gjilan-Prishtinë, siç e kishte premtuar si dhe shumë të mira të tjera po ndodhin në Gjilan.
Rregullimi i shtratit të lumit Mirusha është mrekullia më e madhe që bëri Lutfi Haziri në Gjilan, duke e kthyer në një shesh modern një përroskë që kundërmonte me vite.
Kurdoherë u tregua i afërt me qytetarë dhe i gatshëm për t’i ndihmuar në të gjitha rrethanat. Ai i bashkon njerëzit nëpërmes punës dhe dijes. Haziri, mbi të gjitha është një personalitet me integritet të lartë moral, intelektual e qytetar, i ndjeshëm ndaj padrejtësive.
Haziri është i angazhuar edhe në zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës përmes përfilljes së vullnetit politik dhe të së drejtës themelore të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta. Asnjëherë nuk ka hequr dorë prej Luginës dhe asnjëherë nuk është ndalur së punuari e vepruari për të.
Haziri, kryetar aktual i Gjilanit, ka bërë atë që ka ditur më së miri, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Lutfi Haziri është dhe do të mbetet i tillë, si njëri nga njerëzit përfundimisht të rrallë që ka dhënë dhe po jep kontribut të madh për Gjilanin dhe Kosovën.
(Autori është jurist i diplomuar)