Edhe gjatë vitit 2016, Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka trajtuar tema me interes për publikun dhe qytetarët e Gjilanit. Kanë dominuar temat që lidhen me infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj, ka thënë Musa Sabedini, kryetar i këtij Klubi.
Ndryshe, “Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi, ka organizuar dhe mbajtur mbi 190 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” thotë Musa Sabedini.
Ai ka përkujtuar se ky Klub për këto 16 vite ishte në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.
Sabedini ka thënë se zhvillimet e hovshme që ndodhën në vitin 2016, duke filluar nga ngërçi politik, pastaj protestat e dhunshme dhe paralizimi pothuajse total i funksionimit normal të të gjitha institucioneve, ka ndikuar që edhe debatet të reduktohen. “Ne përkundër kësaj klime të rënduar kemi trajtuar tema që lidhen me jetën e rëndomtë të qytetarit gjilanas. Kuptohet që në rrethana jonormale është vështirë edhe të debatosh tema të nxehta ose tema që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve” ka thënë ai.
Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 16 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. “E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2016 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit, Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës” ka thënë Sabedini.
“Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve.”
Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
“Jo rastësisht Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” tanimë ka dy role. Rolin e informuesit dhe të involvuesit të qytetarit në proceset vendimmarrëse. Andaj edhe në vitin 2016 kemi kërkuar llogaridhënie nga të zgjedhurit, për çështjet më kruciale. Natyrisht, që, në këtë rrugëtim tonin të përbashkët, na kanë ndihmuar e përkrahur qytetarët, ekspertet e fushave të ndryshme, njerëzit përgjegjës në institucionet kosovare, partitë opozitare në Gjilan. Realisht në debatet tona qytetari ynë pati mundësi të bashkëbisedojë, pa dorëza, dhe pa kurrfarë censure, me të zgjedhurit e vet, me ata që, për këto vite, na udhëhoqën mirë e keq”.
“Gazetarët e Gjilanit për këto 16 vite me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkaje që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë”.
Sabedini shton se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh. “Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij – gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, ku e keqja merr përgjigjen e merituar” ka thënë Sabedini.
Gjatë viti 2016 sipas Sabedinit janë trajtuar tema që lidhen më infrastrukturën, shëndetësinë, kulturën, shërbimet publike etj,