Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,dhe drejtori i INL, Shawn Waddoups, zyrtarizuan mbështetjen financiare për strehimoret të cilat ofrojnë shërbime strehimi dhe rehabilitimi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Në prani të përfaqësuesve të strehimoreve, u organizua kjo ceremoni në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për mbështetjen financiare në vlerë prej 200 mijë eurove nga Ambasada Amerikane, e cila i kontribuon jashtëzakonisht shumë fuqizimit të këtij shërbimi tejet domethënës për viktimat e dhunës në familje.
Ministrja Haxhiu falënderoi Drejtorin e INL, Shawn Waddoups, për mbështetjen e ofruar dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e pakursyer të Ambasadës Amerikane nda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu theksoi se në luftën kundër dhunës në familje nuk jemi vetëm dhe se partnerët strategjik si SHBA-të, janë mbështetje e pazëvendësueshme në këtë drejtim.
Ministrja e Drejtësisë ka marrë përsipër që të angazhohet maksimalisht që të zbatohen në përpikëri hapat dhe masat që kërkohen përkitazi me Konventën e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. /2LONLINE/