Menaxheri i Amir Rrahmani, Adrian Aliaj ka zbuluar tashmë se mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, tashmë është lojtar i Napolit. Kapiteni i Kosovës ka shkëlqyer që nga transferimi i tij në verë nga Dinamo Zagrebi te Hellas Verona për një shifër të raportuar prej dy milionë eurosh.
Paraqitjet e tij të mira me klubin italian kanë bërë që Rrahmani të pëlqehet shumë nga Napoli dhe të lidhet me një transferim në San Paolo.
Pas disa javë thashetheme, menaxheri i Rrahmanit, Adrian Aliaj, ish-mbrojtës i Kombëtares së Shqipërisë, ka konfirmuar zyrtarisht se kapiteni i Kosovës do të jetë lojtar i ri i Napolit pasi marrëveshje është arritur.
Alija tregoi edhe kushtet e transferimit, kontratën dhe gjithçka tjetër rreth kësaj marrëveshje.
“Është vetëm ana teknike për t’u mbyllur, por të themi se kemi rënë dakord shumë kohë më përpara. Napoli e ka ndjekur që nga fillimi i sezonit lojtarin”, ka thënë fillimisht Aliaj për Supersport.
“Ishte proces tre mujor. Mendojmë ta finalizojmë marrëveshjen zyrtarisht javën tjetër. Mund ta them se ai tashmë është lojtar i Napolit. Ai është lojtar i kompletuar. Të vish në këtë nivel për të pasur interesim nga Napoli është privilegj për lojtarin dhe mua si menaxher. Është punë e vështirë, sakrificë e lojtarit. E prisnim të ndodhte. Rrahmani do të jetë zyrtarisht në janar lojtar i Napolit. Kontrata e tij është pesë vjeçare. Lojtari është i kënaqur. Kushtet janë të mira për lojtarin. Verona është gjithashtu e kënaqur pasi e bleu vetëm dy milion euro dhe e shet 15 milionë”, përfundoi menaxheri i Rrahmanit.