Zv. kryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë.
Në Berlin, përpos takimeve me diasporën shqiptare, Gashi ishte i pranishëm edhe në manifestimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin. Në mesin e ministrave, sekretarëve të Shtetit dhe deputetëve të Bundestagut gjerman, në cilësinë e zv. kryeministrit të Republikës së Kosovës, Gashi ishte zyrtari i parë i Qeverisë kosovare që iu drejtua Qeverisë së re gjermane, e posaformuar nga kancelarja Angela Merkel.
“Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë së Kosovës, në Berlin, po shpreh optimizmin që 11- vjetorin qytetarët e Republikës sonë ta presin duke lëvizur të lirë në vendet e Schengenit, ndërsa 20-vjetorin e Pavarësisë si shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Gashi në fjalimin para zyrtarëve të shtetit gjerman dhe korit diplomatik të akredituar në Berlin.
Po ashtu, gjatë vizitës së tij, ai takoi edhe përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve nga Dyseldorfi, Berlini, Ziegeni, Frankfurti, anëtarë dhe pjesë e kryesisë së Unionit të Bizneseve të Diasporës në Gjermani, afaristë të suksesshëm në fushat përkatëse, me të cilët bisedoi për mundësitë e krijuara me Ligjin e ri të investimeve strategjike për të investuar në Kosovë.
“Para pak kohësh kemi marrë edhe aplikacionin e parë nga një kompani gjermane, pronë e një bashkatdhetari tonë, për t’u kualifikuar si investitor strategjik në fushën e prodhimit të energjisë solare. Kjo do të duhej të shërbejë edhe si një motiv shtesë që ju, së bashku edhe me kompanitë gjermane, të vini në Kosovë për të investuar në fushat e minierave dhe të mineraleve, energjisë dhe turizmit”, theksoi Gashi gjatë takimit.
Zv. kryeministri / ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, do t’i vazhdojë takimet në Shtutgard, me shkollat e mësimit të gjuhës shqipe.