Është investua shumë që sot mos me pas guxim me u marr me tema të mëdha

Është investua shumë që sot mos me pas guxim me u marr me tema të mëdha

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe të “pakënaqurit” e saj të cilët tanimë kanë një grup parlamentar të pavarur, do ta votonin marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, pas dakordimit të dy presidentëve dhe raportit të komisionit shtetëror i kryesuar nga Bulliqi, por mungon guximi ta bëjnë një gjë të tillë, sepse kanë frikë nga reaksionet në anëtarësinë e tyre.

Shkruan: Ardian Azemi

U bënë shumë vjet që VV nuk ka pajtua me institucionet shtetërore thuajse në asnjë pikë. Ka bërë mirë që s’ka pajtua, sepse vërtetë nuk është qeverisë mirë me vendin, dhe se janë bërë shumë kompromise në kurriz të qytetarëve dhe Kosovës. Por, krahas mospajtimeve, do të duhej të ofroheshin alternativa, sepse më e lehta është ti thuash tjetrit se nuk e ke mirë, por të ofrosh ide dhe alternativë, është pak më e zorshme. Pra, VV ka dështua ta bëjë këtë.

Ti kthehemi substancës për të cilën menduam ta themi në këtë temë. Anëtarësia e VV-s është kryesisht e re, pra e re në moshë. Pa përvojë politike dhe kësisoj ajo (anëtarësia), është motivuar dhe “shkolluar” me një qasje krejt ndryshe politike në Kosovë, qasje e cila do të funksiononte në shtete me traditë, dmth shtete të integruara dhe zhvilluara, të njohura ndërkombëtarisht dhe me një standard tjetër të jetesës. Në Kosovë nuk funksionon kjo mendësi, sepse jemi shtet i “marum” prej të fuqishmëve, dhe nuk mund të bëhet diçka pa “izën” e tyre, domethënë pajtimin e shteteve të fuqishme.

Vetëvendosje! është ngritë duke mos u pajtuar me tema të cilat nuk janë ekskluzivisht në dorën e vendorëve. Rrugëtimi dhe ngritja e VV-s u bë tu i kundërshtua bisedimet me Serbinë, decentralizimin, asociacionin, demarkacionin, SHIK-n, qeveritë, madje duke qenë këmbëngulëse të mos hy në bashkëqeverisje me asnjë subjekt politik në Kosovë. Kështu kanë arrit ta përgatitin edhe votuesin e tyre, aktivistin dhe militantin e tyre.

Nëse tani VV e voton demarkacionin, anëtarësia reagon ngjashëm siç reagoi me të pakënaqurit që ikën nga VV muajt dhe ditët e fundit. Frika nga “hakmarrja” në votë, ia pamundëson VV-s të reflektojë dhe ti kthehet realitetit. Tani e kanë kuptuar se ishte gabim starti dhe rruga deri këtu, por gjithçka është vonë, por jo krejtësisht e pamundur. Kjo është arsyeja pse kemi thënë se në rrethana aktuale, VV nuk e ka guximin ta merr pushtetin, edhe nëse qytetari këmbëngul t’ia jap atë, përmes votës. Kur jemi jashtë lojës, gjithnjë na duket se do ta bënim më mirë, kur je në lojë, e kupton qartë sa e rëndë është të jesh brenda.

Vetëvendosje! duhet të jetë pjesë e vendimeve të mëdha, edhe nga ky pozicion që aktualisht është, madje duke qenë të vetëdijshëm se kostoja e ndryshimit apo rikthimit në realitet, do të jetë e lartë. S’ka mundësi që në mesin e shumëve, të jem më i miri, sepse nuk kam fakte as për t’iu thënë të tjerëve se nuk jeni të mirë, as nuk kam fakte të them se jam më i mirë se ju.Prandaj, vjen një moment që duhet me u shikua drejt në sy, sepse rrethanat na pamundësojnë ti shohim të tjerët nga perspektiva e zogjve.

Si politikë e si shoqëri, jemi ardhur në një situatë që ta mendojmë para së gjithash të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve. Kosovën nuk mund ta bëjë të mirë as Ramush Haradinaj i vetëm, e as Albin Kurti.

Kosova bëhet e mirë veç kur ne dëshmojmë se e duam shtetin, e duam zhvillimin dhe integrimin e Kosovës. Kjo dëshmohet kur të ndryshoi mendësia politike, kur inatet zëvendësohen me bashkëveprim, kur fjalimet fyese shndërrohen ne fjalime motivimi për punë, kur kritikën për mospunë e mundë alternativa e ofruar. Pra, Kosova bëhet veç duke bashkëpunuar ngushtë faktori politik shqiptar. Ndryshe, brezat e rinj kanë me na sha edhe luftën që e kemi bë për liri.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE