Komiteti Olimpik i Kosovës e ka përpiluar një listë me emra të sportistëve nga të gjitha federatat sportive të Kosovës që do të detyrohen t’u nënshtrohen kontrolleve për doping.
Institucioni më i lartë sportiv në vend thotë se është i përkushtuar, por edhe i detyruar ndërkombëtarisht, ta shtojë kontrollin e dopingut në Kosovë deri sa të themelohet Agjencia Kosovare Anti-Doping. Mos themelimi i kësaj gati i kishte kushtuar Kosovës me përjashtim nga të gjitha garat ndërkombëtare sportive.
Me qenë se Kosova nuk e ka themeluar Agjencinë Anti-Doping të saj – për çka gati ishte përjashtuar nga të gjitha garat ndërkombëtare – deri në themelimin e saj punën e kësaj agjencie do të mundohet ta kryejë Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) konform një marrëveshjeje mirëkuptimi me Agjencinë Ndërkombëtare Anti-Doping (WADA).
Kështu, institucioni më i lartë sportiv në vend është i përkushtuar, por edhe i detyruar, ta praktikojë kontrollin e dopingut në sportin kosovar, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.
KOK-u ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express se e ka përpiluar listën me emra sportistësh nga të gjitha federatat sportive të Kosovës të cilëve do t’u bëhen kontrollet e dopingut.
“KOK tanimë ka formuar listën e sportistëve nga të gjitha federatat ku pritet të fillohet me marrjen e mostrave të tyre dhe dërgimin e këtyre mostrave në laboratorët e licencuar nga WADA në shtetet më të afërta me shtetin e Kosovës”, ka deklaruar për Gazetën Express sekretari gjeneral i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, pa dashur t’i publikojë emrat e tyre.
Kosova ende nuk është anëtarësuar në WADA si rezultat i mos-themelimit të Agjencisë Kosovare për Anti-Doping. KOK-u thotë se këtë agjenci duhet ta themelojë Qeveria e Kosovës konform Ligjit për Sport.
Mos-themelimi i kësaj agjencie, sipas Haxhijajt, për pak i ka kushtuar Kosovës me përjashtim nga të gjitha garat ndërkombëtare.
Por, KOK-u e ka marrë përsipër kontrollin anti-doping në vendin tonë deri në themelimin e agjencisë, për çka ka gjetur mirëkuptim të “përkohshëm” nga WADA, me çka nënkuptohet se shteti ynë duhet ta themelojë sa më shpejt këtë agjenci.
KOK-u do të asistohet nga Agjencia Evropiane Anti-Doping (EERADO) për kontroll dopingu në sportin kosovar deri në themelimin e agjencisë kompetente dhe profesionale.
“Me datën 3-4 tetor përfaqësuesit e EERADO (Estearn Europe Antidoping Organization) z. Teimuraz Ukleba dhe znj. Tamar Svenishvilli nga Georgia, erdhën në Kosovë ku mbajtën trajnimin 3 ditore për Koordinator dhe dy zyrtarë të dopingut, të cilët do të merren me testimin e sportistëve dhe dërgimin e mostrave të tyre në laboratorët e akredituara nga WADA”, tha ai.
“Po ashtu është mbajtur seminar me federatat sportive të Kosovës për antidoping. Zyrtarët për antidoping të certifikuar nga WADA u përzgjodhën Gezim Murseli dhe Bernard Tahirbegolli, dyte njohës, te certifikuar dhe te trajnuar ne fushën e antidopingut. Përkohësisht Gzim Murseli u emërua edhe si koordinator, i cili do ti filloje takimet me përfaqësuesit e federatave ne lidhje me informimin e tyre rreth programeve dhe testimeve të sportistëve”, shtoi Haxhijaj.