Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, pritën në takim ambasadoren e Francës në Prishtinë, Marie Christine Butel.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi për së afërmi me atasheun e ri francez të mbrojtjes, kolonel Nicolas Coussiere.
Fillimisht, zëvendësministri Syla, i uroi postin e ri, kolonelit Coussiere, duke theksuar se tashmë një atmosferë shumë e mirë e punës është krijuar me atasheun paraprak të tij dhe se një bashkëpunim i tillë të vazhdojë duke u thelluar edhe më tej.
Gjithashtu, zëvendësministri Syla e falënderoi ambasadoren Butel për kontributin e gjithanshëm të dhënë nga ana e shtetit të Francës për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Ai, ndër të tjera, i rikujtoi objektivat, qëllimet strategjike, si dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në anën tjetër, ambasadorja Butel e siguroi zëvendësministrin Syla për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme dhe bashkëpunimit të mirë me Republikën e Francës dhe siguroi së përmes atasheut të ri, kolonel Coussiere, ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej. /2LONLINE.com/