Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, qëndroi për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të Air Vice Marshal Nigel Maddox CBE.
Me këtë rast, delegacioni i përbërë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, të udhëhequra nga zëvendësministri Syla, vizituan bazën e Forcave Mbretërore Ajrore, Swanwick, me qëllim të njohjes së sistemit të komandës dhe kontrollit ajror të Britanisë së Madhe.
Në këtë bazë, delegacioni u prit nga komanda e lartë e Skuadronit 78, të Forcave Mbretërore Ajrore dhe zyrtarë të kompanisë prestigjioze IBM.
Gjatë kësaj vizite delegacioni kishte mundësinë që të njihet nga afër me operacionet dhe kapacitetet e sistemit GUARDIAN, i cili përdoret nga shumë vende të NATO-s.
Përveç kësaj, delegacioni pati mundësinë të zhvillonte edhe vizita kulturore, ku për qëllim kishin njohjen nga afër me vlerat dhe historinë e lashtë të popullit britanik. /2LONLINE/