Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Milan Radojevic, po merr pjesë në takimin ministror të Procesit të Brdos të Sllovenisë. Në këtë takim u diskutua për çështjen e sigurisë, në veçanti lidhur me trafikimin me qenie njerëzore, terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.
Me këtë rast, zëvendësministri Radojevic tha se trafikimi me qenie njerëzore është një ndër format më agresive të krimit të organizuar, i cili zakonisht përcillet nga akte të tjera terroriste.
Për këtë, zëvendësministri Radojevic theksoi se Republika e Kosovës përmes Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, deri më tani ka rezultate pozitive në luftimin e këtij krimi.
Ai tha se ligjet e aplikuara në Kosovë janë në një linjë të njëjtë me konventat ndërkombëtare me standarde të larta për respektimin e të drejtave njerëzore.
“Do të theksoj se parandalimi është gjithmonë prioriteti jonë. Gjithashtu, përgjegjësi e jona është mbrojtja e viktimave dhe ofrimi i shërbimeve më të mira për ta, të cilat garantohen përmes ligjeve të aplikuara të Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Radojevic.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u fol edhe për terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.
Me këtë rast, ai tha se Republika e Kosovës, ashtu si edhe vendet tjera të rajonit dhe më gjerë, i është përgjigjur kërcënimeve nga terrorizmi duke hartuar Ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës në luftërat e huaja.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Radojevic, në cilësinë e Koordinatorit Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, nënshkroi Protokollin në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në fushën e Luftimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore.