Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, morën pjesë në punëtorinë e ISOA-s “Mobiliteti dhe Siguria” (“ISOA Mobility & Security Workshop”).
Me këtë rast, zëvendësministri Syla para të pranishmëve prezantoi disa nga përparimet dhe sfidat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku theksoi se duke ndjekur me përpikëri Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, me një rritje prej 120 për qind të buxhetit për Mbrojtjen dhe puna me përkushtim, janë garanci e zhvillimit të kapaciteteve dhe sigurisë së vendit tonë.
“Pozita jonë gjeopolitike dhe objektivat kombëtare, që lidhen ngushtë me ato të Ministrisë së Mbrojtjes, forcojnë mundësinë e bashkëpunimit në investime në Kosovë, duke ofruar një mjedis të favorshëm për biznes. Synimi ynë kryesor mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një angazhim ndaj vlerave demokratike’, ndër të tjera theksoi zëvendësministri Syla.
Më tej, ai theksoi gatishmërinë dhe nevojën për bashkëpunim me investitorët e huaj, me qëllim që Kosova të bëhet qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke argumentuar se: “Me të rinjtë tanë, pozitën gjeostrategjike dhe kapacitetet logjistike, synojmë të bëhemi qendra rajonale e kësaj industrie. Jemi të vetëdijshëm se kjo është një sfidë, por në bashkëpunim me investitorët dhe kushtet tona të favorshme, besojmë në një partneritet të fuqishëm me ISOA, duke vlerësuar misionin dhe angazhimet e saj në promovimin e standardeve më të larta operacionale dhe etike të kompanive aktive në industrinë e mbrojtjes, si dhe kontributin pozitiv të këtyre kompanive drejt avancimit të paqes ndërkombëtare, zhvillimit dhe sigurisë njerëzore”, shtoi më tej zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla. /2LONLINE/