Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zhvilloi sot një takim me Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Infrakos” Sh.A., Naser Krasniqin, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për sigurinë dhe menaxhimin e infrastrukturës kritike hekurudhore në Kosovë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e identifikimit të rreziqeve dhe përgatitjen e planeve emergjente për mbrojtjen e rrjetit hekurudhor nga kërcënime të mundshme. Zëvendësministri Syla shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur “Infrakos” përmes trajnimeve dhe asistencës në fushën e reagimit ndaj situatave emergjente dhe krizave të jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër, z. Krasniqi prezantoi projektet dhe angazhimet aktuale të “Infrakos”, duke theksuar rëndësinë e modernizimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës hekurudhore si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe transportin e qëndrueshëm të vendit.
Ky takim nënvizoi përkushtimin e ndërsjellë për të garantuar sigurinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës kritike, duke forcuar kështu bashkëpunimin midis institucioneve civile dhe ushtarake në shërbim të qytetarëve të Kosovës. /2LONLINE/