Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi.
Interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishin tema qendrore e diskutimit. Bashkëpunimi mes nesh është i rëndësishëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Në parimin e reciprocitetit, shqiptarët në Luginën e Preshevës, duhet të kenë të drejta të barabarta, të përfaqësimit, ashtu siç edhe serbët në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar në mënyrë konkrete për mbështetjen e Luginës. Për herë të parë është buxhetuar mbështetja në shumën prej 2 milionë eurove për Luginën, me qëllim mbështetjen e rinisë dhe arsimimit, përkujdesjes ndaj trashëgimisë kulturore, identitetit kombëtar e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Në muajin korrik të këtij viti, me vendim qeveritar, janë ndarë 255 mijë euro për sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit e Luginës së Preshevës. Zëvendëskryeministri Bislimi dhe z. Mustafa, diskutuan për finalizimin e kryerjes së kësaj pagese dhe fillimit të shpërndarjes së librave, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. /2LONLINE/