DYLON

Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe, kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës

Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe, kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës
Avatar photo Redaksia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka reaguar pas aktit çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe.

Presidentja Osmani ka thënë se dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë.

EkoHigjiena

“Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra”, ka theksuar Presidentja.

Në vijim gjeni të plotë reagimin e Presidentes Osmani:

Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.

Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me rradhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.

Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.