Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në mbledhjen e KPSA (Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin), të zhvilluar në Strasbourg.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi qëndrimin e Kosovës ndaj konfliktit në Ukrainë, duke u bashkuar me sanksionet e aplikuara nga Bashkimi Evropian kundrejt Rusisë. Ai foli për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë. U shpreh se “BE-ja është përgjigjur në mënyrë të unifikuar e Kosova i është bashkuar frontit demokratik”.
Përsa i përket aplikimit për anëtarësim në BE, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Rezoluta e Parlamentit Evropian që i bën thirrje institucioneve të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE është shumë inkurajuese edhe për ne. Në këtë drejtim, ai ritheksoi progresin e Kosovës në kuadër të agjendës evropiane ERA II si dhe progresin e shfaqur nga Kosova në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik si dhe nevojën e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin në BE. Kjo, edhe për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë dhe parandalimin e influencës ruse në Ballkan. Ai u shpreh se është faktor shqetësues fakti se Serbia ka dështuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Zëvendëskryeministri Bislimi, bëri gjithashtu thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në fjalën e tij ritheksoi se Parlamenti ka votuar dy herë pro procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, por qytetarët e vendit mbeten akoma të izoluar,ndaj është e nevojshme përmbyllja e këtij procesi.
Në mbyllje ai potencoi se objektivi kryesor gjeopolitik dhe strategjik i Kosovës është anëtarësimi i ardhshëm në BE, ndërsa, dy synime të tjera përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. /2LONLINE/