Izmi Zeka, nënkryetar i Degës së PDK-së në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në qendër, thotë se nuk ka dyshim që me Gjilanin do të qeverisë sërish PDK-ja, ndërsa ka premtuar se në zgjedhjet lokale të tetorit, PDK-ja do të jetë befasia më e mirë kur është në pyetje ekipi drejtues i fushatës dhe kandidaturat që do të jenë pjesë e garës.
Zeka ka thënë se PDK-ja e Gjilanit vlerëson se zgjedhjet e 22 tetorit do të jenë treguesi më i mirë se si PDK-ja do të rikthehet fuqishëm në Gjilan për t’ia kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur për katër vite rresht.
“Qytetarët e Gjilanit janë të vetëdijshëm se e vetme proevropiane mbetet PDK-ja dhe jo partitë të cilat ende jetojnë me frymën çegevariane. PDK do të befasoi për së miri qytetarët e Gjilanit me kandidaturat dhe ekipin drejtues të fushatës, për zgjedhjet e 22 tetorit, duke u nisur nga kandidati për Kryetar Komune, lista për Asamblenë Komunale dhe Shefi i Shtabit, të cilët do të jenë shembull i një gare me njerëz të pastër, pa afera korruptive dhe që nuk bien ndesh me ligjin”, thotë Zeka për Portalin 2LONLINE.
Sipas tij, PDK në Gjilan së shpejti do t’i zyrtarizojë kandidaturat për Kuvendin Komunal dhe kandidatin për Kryetar Komune të cilët garantojnë fitoren e PDK-së për të udhëhequr sërish me Komunën e Gjilanit.