Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh edhe nënkryetar i kësaj partie në Gjilan, Izmi Zeka ka thënë se subjekti i tij politik është i gatshëm në çdo moment për zgjedhje, edhe për ato nacionale, kurdo që do të mbahen.
“Referuar kalendarit, njëherë janë zgjedhjet lokale, mirëpo nëse shihet e nevojshme dhe është interes nacional, edhe po të mbahen zgjedhjet nacionale nuk bie dielli në tokë. Edhe zgjedhjet e parakohshme janë aspekt demokratik.Prandaj neve jemi të gatshëm kurdo që mbahen ato”, ka thënë Zeka, shkruan 2LONLINE.
Sipas tij, zgjedhjet nuk duhet të shihen si diçka abstrakte, kur shihet e nevojshme atëherë politika kthehet tek sovrani dhe e sheh vetën ku është.
I pyetur se a do të bashkëqeverisëste PDK prapë me LDK, Zeka ka thënë se PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe për asnjë parti që punon për integrime evropiane dhe ruajnë miqësitë me SHBA-të dhe partnerët evropian.
Ndërsa kur jemi te zgjedhjet lokale dhe Gjilani, Zeka që është nënkryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë, ka thënë se edhe për Gjilan janë të gatshëm, kanë kandidatin e tyre për kryetar komune, që është Zenun Pajaziti, e që sipas tij, ka mbështetjen edhe të nivelit qendror dhe lokal
Zeka nuk e la pa përmendur as çështjen e përfolur kohëve të fundit që ka të bëjë me bërjen apo jo të ushtrisë në këtë kohë, duke thënë se ushtria do të bëhet, është punë e kryer.
“Ushtria duhet të bëhet dhe për këtë çështje PDK-ja është mbase e qartë. Çdo humbje kohe i kushton proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka thënë izmi Zeka.