“Lidershipi ne Kosovë po mendon se jemi qendra e botës dhe momentet historike përsëriten çdo 5 vjet. Edhe historikisht prej kësaj filozofie kemi pësuar katastrofalisht. Prandaj sot kemi nevojë për unitet politik për çështje madhore kurse çështjet të cilat lidhen me zhvillimin e vendit divergjencat janë mbase normale”, shprehet Izmi Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Zeka shton se sot duhet të vrapojmë pas idesë dhe projektit e jo pas personalitetit apo individit. “PDK-ja për afro 20 vjet ka treguar lidership dhe përgjegjësi shtetërore. Te gjitha proceset kanë kaluar në kurrizin e saj ndaj edhe sot më shumë se kurrë Kosovës I duhet një politikë e qartë, strategjike pa ngurtësinë politike”ka thënë ai.
Sipas Zekës, debati për korrigjim të kufirit skajshmërisht është keqkuptuar. Po shpjegohet ashtu si ju duhet individëve, partive politike, OJQ-ve, gazetarëve etj.
“Ideja e Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën s’duhet të bëhet mollë sherri për çekuilibrimin e skenës politike në Kosovë e më gjerë. Momentet historike nuk përsëriten në përditshmëri”ka thënë Zeka, për të shtuar se nga ajo çka ka lexuar si historian, ikin 50 vjet për tu marr me një çështje të caktuar fuqitë mëdha.
“Njerëzit e mëdhenj merren me ide dhe projekte afatgjate kurse liderët e momentit merren me individ të caktuar dhe zhurmën që lënë pas”, thotë Izmi Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, njëherësh edhe zëvendësministër në MPB.