Zëvendësministri i Qeverisë së Kosovës, Izmi Zeka, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu referuar konventës së këtij subjekti politik, vlerësoi se ky subjekt të cilit i takon është njëra ndër partitë më të fuqishëm në Kosovë dhe edhe në këtë konventë u dëshmua se është e vetmja alternativë për të zgjidhur çështjet e mëdha si: demarkacioni, krijimi i ushtrisë së Kosovës, zhvillim ekonomik dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit
“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli theksoi qartë se fokusimi i PDK-së do të jetë në zhvillimin ekonomik të vendit, në integrimet euroatlantike dhe çdo veprim i bërë i institucioneve të Kosovës do të bëhet në koordinim me SHBA-të, BE-të dhe miqtë e Kosovës”, ka thënë Zeka shkruan Portali 2LONLINE.
Ai ka shtuar se strukturimi i PDK-së, bëhet në mënyrë kontinuele dhe se konventa e PDK-së ishte sinjal i mirë për të gjithë ata refuzues të ecjes së Kosovës drejt zhvillimit ekonomik dhe rrumbullaksimit të shtetësisë së Kosovës.
Zeka tha se PDK-ja, prej fillimit ishte gardian i çështjeve të mëdha në interes të vendit dhe se ky subjekt vlerëson se proceset e ndjeshme duhet të përmbyllen sa më shpejtë, e në veçanti ushtria e Republikës së Kosovës.
“Qytetari ynë duhet të besojë në fjalët e presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, se ushtria e Kosovës është e pa alternativë. Themelimi i saj është nevojë, jo vetëm e qytetarëve të Kosovës, por e stabilitetit në Ballkan.
“Edhe sot, në kuadër të aktiviteteve të PDK-së, do të barten mesazhe të qarta nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli, se Kosova ka nevojë për gjallëri më të madhe, ka nevojë për liberalizim të vizave, ka nevojë që të jetë pjesë e BE-së dhe kosovarët janë emblema e Bashkimit Evropian, sepse evropianizim i tyre është dëshmuar përherë”, ka thënë Zeka i PDK-së.