Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Angelina Eichhorst, Zëvendës Drejtoreshë Menaxhuese për Europë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian, me të cilën bisedoi për agjendën europiane të Kosovës dhe zbatimin e reformave në vend.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në përshpejtimin e zbatimit të Agjendës së Reformave Europiane dhe operacionalizimin e veprimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që do të mundësojë përafrimin e vendit me BE-në.
Ai tha se rruga e integrimeve europiane për Kosovën është e qartë dhe se puna e Qeverisë është e përqendruar në sundimin e ligjit, reformat në fushat e ndryshme, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Kryeministri Haradinaj, theksoi se Kosova do të përmbushë obligimet e saj bazuar në marrëdhënien kontraktuale me BE-në dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët e vendit lëvizja e lirë dhe pa viza.
Ai tha se me ndryshimet në komisionin për çështjen e demarkacionit, procesi do të lëvizë shpejt dhe do të jetë plotësisht transparent.
Kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është e angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njëkohësisht ka treguar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativë të vetme, por të ristrukturuar dhe të afatizuar në kohë si dhe me përmbushje të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Drejtoresha Eichhorst, theksoi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, kanë perspektivë europiane dhe të gjitha vendet e rajonit duhet që fillimisht të bëjnë më shumë në zbatimin e kritereve për anëtarësim.
Ajo tha se Kosova duhet të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj që do ta hapte rrugën e integrimeve dhe veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,6950