Xhudistët kosovarë po marrin pjesë në garën e radhës në Grand Prixin e Budapestit.
Nora Gjakova e ka ndjekur hapin e Distria Krasniqit në Grand Prixin e Budapestit, në Hungari, duke u kualifikuar në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë.
Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e mposhti me ippon xhudisten nga Panamaja, Miryan Roper, duke e siguruar kështu të paktën medaljen e argjendtë.
Medalja e Gjakovës do të shtohet në mesin e 12 medaljeve të fituara në turneun botëror të IJF, ku përfshihen tituj të Masters, Grand Prix dhe Grand Slams.
Përveç, Nora Gjakovës, sot Kosovën në Budapest të Hungarisë e përfaqësojnë edhe Majlinda Kelmendi (-52 kg) dhe Distria Krasniqi (-48 kg). Ndërsa, Akil Gjakova garon të shtunën dhe Loriana Kuka të dielën.
Majlinda Kelmendi pritet të garojë për medaljen e bronztë, ndërsa Distria Krasniqi e ka zënë një vend në finale të kategorisë së saj, duke qenë pretendente bashkë me Norën për medalje të artë, sepse të argjentat tashmë i kanë siguruar.