Vrasja e Ivanoviqit një vrasje politike, e planifikuar hollësisht nga agjenturat e Serbisë
Duke komentuar vrasjen e sotme të politikanit serb Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës, Fetnete Ramosaj, studiuese dhe hulumtuese të gjenocidit serb në Kosovë ka thënë se ekzekutimi i sotëm i Oliver Ivanoviqit në pjesën veriore të Mitrovicës, para zyrës së partisë së tij, është një vrasje politike, e planifikuar hollësisht nga agjenturat e Serbisë, madje jo vetëm nga ato, dhe përveç tjerash mund të përdoret si pretekst për të filluar një fushatë për destabilizimin e Kosovës, duke i përdoruar edhe mekanizmat e armatosur.
“ Oliver Ivanoviqi nuk është cak i rastësishëm apo i parëndësishëm për vet faktin se deri para katër vjetëve, konsiderohej si politikani më i fuqishëm nga radhët e pakicës serbe në Kosovë, i ka ditur dhe udhëhequr të gjitha proceset (edhe ato kriminale) që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës dhe se mbi të kanë rënduar akuzat e bazuara për krime të shumta, vrasje, masakrime, plagosje, dëbime masive të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare, para dhe pas luftës në Kosovë, për çka edhe ka pasur një proces gjyqësor ndaj tij, i cili kohë më parë është kthyer në rigjykim, prandaj ka ditur shumë”, ka thënë Ramosaj, transmeton 2LONLINE.
Ajo shton se pra, Ivanoviqi ishte një person me dosje të trashë kriminale edhe te mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë e drejtësisë, KFOR, UNMIK etj. Por ndikimi i tij kishte filluar të binte pas ardhjes në pushtet të presidentit të tashëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e anashkaloi Ivanoviqin dhe i përkrahu grupacionet e tjera serbe nga Zveçani dhe Leposaviqi.
Sipas saj, dihet se pas sulmit të mëhershëm ndaj Ivanoviqit, në korrik të vitit 2017, kur ia dogjën makinën, ky i fundit theksin e vuri ndaj kundërshtarëve politikë në Serbi, duke i kërcënuar se dinte shumë gjëra dhe se do të tregonte për të bëmat e politikanëve në Serbi. Dihet se pjesa veriore e Mitrovicës, ka kohë që është shndërruar në oazë për kriminelët serbë të përndjekur edhe në Serbi, dhe ka pasur qërime të hesapeve ndërmjet veti, por në shumicën e rasteve vrasësit janë identifikuar dhe arrestuar.
“ Është e çuditshme, se si ka mundur të kryhet vrasja dhe të ikin autorët “pa ferrë në këmbë”, kur vetëm 70 metra nga vendi i ngjarjes ishte patrulla e policisë. Po ashtu, kjo është një hapësirë e monitoruar me kamera të sigurisë, prandaj edhe dëshmitë për vrasjen nuk mund të mungojnë”, ka thënë tutje Ramosaj..
Ndërsa, e pyetur se a mund të bëhet një krahasim i vrasjes së Ivanoviqit me rastin “Panda” që në vitin 1998 u vranë gjashtë të rinj në Pejë dhe a besoni se mund të zbardhet ky rast pasi që rasti “Panda” ende nuk është zbardhur, Rmosaj tha se e kzekutimi i Oliver Ivanoviqit, është i njëjtë me ekzekutimin e 14 dhjetorit të vitit 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë, kur njësiti elit i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, JSO (Jedinice sa Specijalne Operacije / Njësiti për Operacione Speciale) i udhëhequr nga Millorad Ulemek – Legija, i likuidoi gjashtë të rinjtë serbë dhe në anën tjetër i fajësoi shqiptarët, gjë që u detyruan ta pranojnë organet më të larta të Serbisë, madje edhe vet Aleksandër Vuçiq, 15 vjet më vonë.
“Dallimi është vetëm te fakti se në rastin “Panda” Serbia i viktimizoi të rinjtë serbë, që nuk kishin ndonjë precedent penal, ndërkaq në rastin e Oliver Ivanoviqit është ndryshe, sepse ishte person me të kaluar kriminale dhe dëshmitar shumë i rëndësishëm për zbardhjen e krimeve të të tjerëve, pra i dinte të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur për 15 vjet në pjesën veriore të Kosovës, dhe se kohëve të fundit ka treguar mosdëgjueshmëri, ka kërcënuar se do të flasë për gjërat që i di dhe si i tillë ka paraqitur rrezik për klasën politike në Beograd. Në rastin “Panda”, por edhe në atë në Grackë të Vjetër të Lipjanit (korrik 1999), aktet terroriste janë kryer me urdhër të organeve të më larta të Serbisë dhe ish-RFJ-së, përkatësisht të Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërkaq në rastin Ivanoviq, sipas informacioneve të besueshme që gjatë ditëve të fundit janë bërë publike edhe në media, mund të jenë të implikuara jo vetëm mekanizmat ekzekutivë të Serbisë, por edhe të Rusisë”, ka thënë ajo.
Se, pas këtij atentati, si do të jetë gjendja në veri të Mitrovicës, Fetnete Ramosaj, Fetnete Ramos, studiuese dhe hulumtuese të gjenocidit serb në Kosovë thotë se edhe para këtij rasti gjendja e sigurisë në Mitrovicë ka qenë e paqëndrueshme.
“Ky atentat dihet se mund të përdoret nga Serbia për të arritur efekte të caktuara për destabilizimin e gjendjes në Kosovë, por edhe në përmasa të tjera, megjithëse motoja e vjetër e shërbimeve sekrete serbe “vrit, ik dhe fajëso të tjerët” tashmë është demoduar. Pak a shumë, edhe pakica serbe në Kosovë ka filluar të vetëdijesohet se Beogradi sa e sa herë i ka përdorur dhe viktimizuar ata për të arritur qëllimet e veta politike”, ka thënë ajo.
Ramosaj që është një njohëse e çështjeve të sigurisë dhe autore e disa librave për çështjet e sigurisë dhe krimet serbe gjatë luftës në Kosovë, ka shtuar se në këtë aspekt, është kuptimplotë dhe domethënës deklarimi i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, nga radhët e pakicës serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, i bërë për mediet serbe pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, e cila ka theksuar se “është e qartë se po kthehet koha e Ivan Stamboliqit”, gjë që nënkupton vrasjet politike të serbëve në mes vete. Për të gjithë ata që nuk e dinë, ish presidenti i Serbisë, Ivan Stamboliq, me urdhër të Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ishte rrëmbyer natën dhe ishte vrarë.